Spanja ka lejuar rihapjen e disa fabrikave, zyrave dhe kantiereve të ndërtimit këtë të hënë, duke lehtësuar kufizimet edhe me industritë që ishin mbyllur pasi shin konsideruar jo-thelbësore.
Këto sektorë ishin mbyllur që në 30 mars, ndërkohë që kufizimet sa vinin e shtoheshin. Autoritetet spanjolle kanë fituar optimizëm me shifrat e fundit të vdekjeve, ndaj dhe është vendosur të jepen lehtësime.
Lehtësimet vlejnë për kompani dhe fabrika që e kanë të pamundur ta vazhdojnë punën me punonjësit në shtëpi. Për ta, kthimi në punë do të nisë që të martën.
Qeveria ka ofruar rreth 10 milionë maska, të cilat u janë dhënë njerëzve nëpër stacione treni dhe autobusësh.
Gjithsesi, kufizimet do të vazhdojnë për dyqanet e mallrave me pakicë, baret dhe restorantet, përveç atyre që ofrojnë ushqim në shtëpi.
Të hënën, Spanja ka raportuar numrin më të ulët të vdekjeve për tre javët e fundit. Shifra kishte rënë një herë në këtë nivel të shtunën, por të dielën u rrit prapë në 619.
Lajmi i së dielës i shoi përkohësisht shpresat se COVID-19 e ka arritur kulmin në Spanjë. Megjithatë, shpresat janë kthyer sërish teksa vendi vazhdon të regjistrojë një numër më të ulët infeksionesh të reja.
Të hënën Spanja numëroi 3477 infeksione të reja, shifra më e ulët që nga fundi i marsit. Veç kësaj, në 24 orët e fundit janë shëruar 2336 pacientë.