Në fund e vendos ai, njeriu që po përjeton sezonin e manktheve, Romelu Lukaku. Inter triumfon 1-0 në “San Siro” ndaj Portos me golin e belgut që e nisi nga stoli, por zhvilloi një ndeshje për t’u vendosur në kornizë bashkë me Onanan, por edhe Marcelo Brozovic që me futjen në lojë 20 minuta nga fundi, i dha një marsh më shumë Interit në një ndeshje që dukej e bllokuar dhe shumë e vështirë për t’u zgjidhur me cilësi apo muskuj.
Portugezët e vendosën jo pak në vështirësi Interin teksa në pjesën e parë ishin më të rrezikshëm duke iu afruar më shumë golit.
75 mijë të pranishmit në “San Siro” panë skuadrën e tyre të vertetë vetëm në pjesën e dytë me ndryshimin e krahëve, por edhe me zëvendësimin e Dzekos nga Lukaku që i dha më shumë thellësi dhe rrezikshmëri sulmit.
Onana dhe Skriniar shpëtuan Interin nga një aksion që mund të kishte rezultuar fatal e më pas Brozovic në vendin e Mkhitaryan ishte “qershia mbi tortë” bashkë me daljen e Otavios me karton të kuq.
Inter luajti për 15 minuta me një lojtar më shumë dhe e shfrytëzoi avantazhin duke gjetur një gol jetik për fatet e kësaj përballjeje që do të jetë shumë e vështirë edhe në Portugali ku Porto do të ketë mbështetjen e tifozëve të saj. Kualifikimi mbetet i hapur.
Guardiola shtyn çështjen kualifikim
Manchester City ndalet në Gjermani, Guardiola nuk ia del mbanë të largohet me fitore nga fusha e Leipzig dhe kampionët e Premier League e shtyjnë për në mesin e muajit mars çështjen e kualifikimit.
1-1 u mbyll ndeshja mes skuadrës gjermane të drejtuar nga Marco Rose dhe miqve nga Manchester që mbërritën me armatën e rëndë dhe e zhbllokuan menjëherë ndeshjen duke krijuar iluzionin se ky do të ishte një 90 minutësh i kalueshëm.
Riyad Mahrez nuk mjaftoi më golin e minutës së 27 pasi City nuk arriti të konkretizonte në gola dominimin territorial duke u kapur në befasi në pjesën e dytë teksa mbrojtësi kroat Gvardiol barazoi shifrat.
Nuk ndryshoi asgjë deri në fund të takimit dhe tashmë skuadrat do të rinisen në “Etihad Stadium” nga një barazim që mund të shqetësojë dhe të prishë planet e skuadrës angleze, dukshëm favorite në letër.