Kosova ka shënuar një bilanc të zymtë në dy ditët e fundit sa i takon jetëve të humbura nga COVID-19. Ndërsa një ditë më parë humbën jetën 16 persona, sot Instituti i Shëndetit Publik në Prishtinë njofton për 15 viktima të tjera.
Sa i takon numrit të të infektuarve nga 258një ditë më parë, këtë të premte ka pasur 226 raste pozitive nga 459 teste të kryera. Kështu numri total i rasteve pozitive ka shkuar në 8.330 raste nga 36.509 persona të testuar.
Kosova me një popullsi prej 1.8 milionë banorë, numëron deri tani 227 raste vdekjeje nga koronavirus dhe sipas Institutit të Shëndetit Publik, kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 115 pacientë kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 4.578 raste, kurse numri i rasteve aktive 3.525.
Institutit i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë u kanë bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të marrin masa për të mbrojtur veten të afërmit dhe të tjerët nga virusi.
“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”, thuhet një njoftimin për media.