Italia shënon një bilanc tronditës në historinë e saj të pandemisë. Vendi tejkaloi sot pragun e zi të 100 mijë viktimave, një vit pas fillimit të përhapjes globale të virusit SARS-coV-2. Italia është vendi i parë në Europë që kalon këtë shifër.
Autoritetet italiane njoftuan për 318 viktima në 24 orët e fundit, ndërkohë që dje ishin 207. Në ulje numri i të infektuarve, 13902, rezultat i një numri pothuajse të përgjysmuar testimesh gjatë ditës së diel.
Trendi në rritje pohohet edhe nga niveli i pozitivitetit, që mbetet i lartë, me 7.6%, ashtu si dhe rritjet e shtrimeve në terapi intensive dhe në spital.
Ndërkohë, ekziston mundësia që vendi të mbyllet totalisht për tri javë, për të favorizuar fushatën e vaksinimit masiv të popullsisë, por deri më tani ekzekutivi i Mario Draghi nuk është shprehur zyrtarisht.
SHBA tejkalon 29 milionë raste të konfirmuara me Covid-19
Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 29,000,012 raste totale të Covid-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 525,046 njerëz që kanë humbur jetën nga Covid-19, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins.
Të paktën 20 vende të tjera kanë raportuar më shumë se 1 milion raste në total nga Covid-19, sipas Universitetit Johns Hopkins.
India dhe Brazili kanë mbi 11 milionë raste.
Rusia dhe Britania e Madhe kanë mbi 4 milionë raste.
Franca, Spanja dhe Italia kanë mbi 3 milionë raste të përgjithshme.
Turqia, Gjermania, Kolumbia, Argjentina dhe Meksika kanë mbi 2 milionë raste të përgjithshme.
Polonia, Irani, Afrika e Jugut, Ukraina, Indonezia, Peruja, Republika Çeke dhe Hollanda kanë mbi 1 milion raste.