Media gjermanishtfolëse vazhdon të fokusohet tek zhvillimet në Kosovë megjithë heqjen e barrikadave: Hapa të parë drejt uljes së tensioneve, por skepticizmi mbetet dhe konflikti nuk zgjidhet.
Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” nën titullin “Në grindjen për barrikadat raundi i parë shkon për Beogradin, por Serbia nuk duhet të gëzohet shpejt”, shkruan se perëndimi e detyroi Kosovën t’i përgjigjet pakicës serbe. Por aq më shumë rritet presioni ndaj Beogradit të njohë Kosovën. “Heqja e barrikadave shenjon një ditë të mirë për popullin serb, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Pala kundërshtare u detyrua të pranojë kërkesat. Por ky është një lexim dritëshkurtër, nëse e shikon konfliktin me pak distancë.
Vërtet që ndërmjetësuesit perëndimorë e vendosën nën presion të madh palën kosovare. Këtë e tregon edhe një deklaratë e përbashkët e SHBA dhe BE që përmban pika të tilla:
-Prishtina garanton që nuk do të ketë lista sekrete të arrestimeve për serbët e Kosovës.[…]
-Misioni i BE, Eulex kujdeset që ndjekja penale e pakicave (lexo-e serbëve) të jetë korrekte dhe e drejtë.
-BE dhe SHBA këmbëngulin që detyrimet e palëve nga ujdi të mëparshme të zbatohen pa vonesë. Me këtë nënkuptohet Asociacioni i Komunave Serbe, pjesërisht autonom, që Prishtina e refuzon.
[…]
Shumë vëzhgues e kritikojnë politikën e perëndimit kundrejt Serbisë si zbutëse. Dhe në të vërtetë, mundet, ashtu si bën Vuçiqi, që përfundimin e raundit të parë të krizës së fundit ta shohësh si sukses të Beogradit. Por së shpejti fillojnë negociatat serioze, ku bëhet fjalë për marrëdhënien afatgjatë mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe këtu serbët nuk i kanë kartat e mira në dorë krahasuar me kosovarët. Në tryezë qëndron një propozim, që nga Serbia të paktën kërkon njohjen faktike të shtetësisë së Kosovës.”
Ndërsa gazeta austriake “Der Standard” shkruan nën titullin “Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë. Keq për shtetin ligjor”, se përmes mënyrës se si u zgjidh konflikti nga BE, e mira më e rëndësishme e demokracive perëndimore, shteti ligjor u bë i negociueshëm. “Është veçanërisht irrituese, që BE dhe NATO i pranuan kushtet e aktivistëve militantë, që janë nën kontrollin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe nuk kanë mandat. […]Bilanci i krizës së inskenuar Serbi-Kosovë është fatal: Kosova nuk mund të kujdeset që të gjithë pronarët e automjeteve të përdorin targat e parapara, dhe nuk mund të mbajë në kohën e duhur zgjedhje. Njerëz, që ilegalisht, bllokojnë trafikun nuk mund të nxirren para përgjegjësisë, dhe policia e vendit nuk mund të zbatojë monopolin e pushtetit.”
Kurse gazeta gjermane “Ludwigsburger Kreiszeitung” shkruan se heqja e barrikadave nuk e zgjidh konfliktin. “Kosova mbetet një fuçi baruti, fitili i së cilës shkurtohet gjithnjë e më shumë. Aktualisht është influenca e Rusisë një problem. Asgjë nuk e gëzon më shumë presidentin rus, Vladimir Putin më shumë se të destabilizojë BE. E me krahun e zgjatur të Moskës në Beograd nuk ka për të pasur një zgjidhje në plan afatshkurtër të çështjes së Kosovës.
Kurse “tagesschau” në analizën e saj me titull “Barrikadat hiqen, skepticizmi mbetet” shkruan për hapa të parë në drejtim të uljes së tensioneve, dhe se pika më e rëndësishme kufitare është hapur, por greva e policëve serbë vazhdon. Presidenti serb kur dha lajmin e heqjes së barrikadave, nuk e bëri këtë pa dramatizimin e tij karakteristik, shkruan “tagesschau”. “Jam prej më shumë se 10 vjetësh në qeveri. Kam pasur shumë momente të vështira, ku mund të shkruaja libra”,…”po këtu kisha negociata të vështira. […]”Përfaqësues të serbëve të Kosovës hoqën barrikadat, por ata tregohen edhe më tej skeptikë. Aleksandar Filipovic, një nga policët serbë në grevë dhe ish-kreu i policisë operative në veri tha se “nëse i heqim barrikadat, ata do të ndjekin si lepuj”, shkruan “tagesschau”./DW