Kanë kaluar pothuajse tre muaj e gjysmë nga momenti kur autoritetet kineze deklaruan, më 11 janar, viktimën e parë nga koronavirusi.
Sot, bilanci i pandemisë ka tejkaluar 200 mijë personat, ndërkohë që të prekurit me COVID-19 janë rreth 2.8 milionë në 210 vende të botës.
Janë 7 shtetet që për momentin kanë kaluar 100 mijë të prekurit, (SHBA, Spanjë, Itali, Francë, Gjermani, Britani e Madhe, Turqi) ndërkohë që Spanja ka kaluar tashmë 200 mijë të infektuarit, dhe SHBA po i afrohet momentit ku do të kalojë pragun e një milionë të prekurve, ndërkohë që ka kaluar 52 mijë viktimat.
Nuk duhet të harrohet, gjithsesi, se SHBA ka një numër banorësh, rreth 330 milionë, më të madh se Gjermania, Italia, Spanja dhe Franca së bashku, çka proporcionalisht i bën statistikat disi më të ulta se në vendet europiane.
Më saktësisht 2805 të infektuar për çdo milion banorë, ndërkohë që Spanja e ka 4786 dhe Italia 3192.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar që pandemia duket në stabilizim ose edhe në rënie në Europë, por për shumë vende të tjera është në fillimet e saj, si në zona të Amerikës së Jugut, Europës Lindore dhe Afrikës.