Aktualitet Bilanci i SPAK: Mbi 3,4 mln euro të konfiskuara në një muaj

Bilanci i SPAK: Mbi 3,4 mln euro të konfiskuara në një muaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar bilancin e muajit maj.

Me kërkesë të SPAK, gjatë muajit të kaluar janë konfiskuar me vendim përfundimtar të gjykatës 3,430,130 euro.

SPAK thotë se mes personave me rrezikshmëri të lartë që janë në hetim, 3 prej tyre janë vendosur në regjim të posaçëm ’41-bis’.

Bilanci i muajit maj:

-Janë paraqitur 15 kallëzime penale, nga të cilat, për 4 kallëzime është vendosur mos fillim i hetimeve.

-Janë regjistruar 22 procedime penale, me 15 persona nën hetim, nga të cilët 11 procedime me 11 persona nën hetim për vepra penale që lidhem me krimin e organizuar dhe 11 procedime me 4 persona nën hetim për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

-Janë dërguar për gjykim 6 procedime penaleme 27 persona të pandehur, nga të cilat, 1 procedim me 8 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 5 procedime me 19 të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

-Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçmejanë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 44 personave nën hetim.

-Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 4 vendime themeli, duke deklaruar 50 të pandehur fajtorë.

-Bazuar në ligjin Nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (të ndryshuar), janë konfiskuar me vendim përfundimtar të gjykatës 3,430,130 euro, 80,000 franga zvicerane, 500 m2 tokë në bregdet.

-Janë ekzekutuar 10 vendime penale të formës së prerë, ndaj 29 personave të dënuar.

-Nga prokurorët e posaçëm janë miratuar 35 vendime për miratim takimesh të paraburgosurve me familjarët.

-Janë vendosur 3 persona në regjim të posaçëm mbikëqyrje në ambientet e vuajtjes së dënimit.

-Janë vënë në ekzekutim 5 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja gjyqësore dhe janë dërguar 7 letërporosi për ekzekutim autoriteteve të huaja.