Mëngjesi i së dielës ka regjistruar një bilanc tragjik sa i takon aksidenteve ku në vetëm pak orë në rrugët e vendit janë shënuar 5 aksidente me 22 të plagosur.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua në Rrugën e Kombit ku një makinë me targa serbe ku udhëtonin 5 anëtar të një familje është përplasur me trafikndarësen dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë, të 5 personat janë plagosur, mes tyre 3 fëmijët dhe burrë e grua të cilët po marrin shërbim shëndetësorë në spitalin e Rrëshenit. Familja mësohet se po vinte për pushime në Shqipëri, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia tej normave të lejuara.
Një tjetër aksident i rëndë u regjistrua në Fier mëngjesin e kësaj të diele. Nga përplasja e dy automjeteve mbetën të plagosur 10 persona, dy prej të cilëve, një 25-vjeçare dhe një 56-vjeçare, për shkak të plagëve më të rënda po marrin ndihmë më të specializuar në spital.
Dy aksidente, ndërkohë u regjistruan në Qarkun e Dibrës me 6 të plagosur.
Në vendin e quajtur “Plan i Bardhë”, në Rrugën e Arbrit, u përplas me murin mbrojtës anësor të rrugës dhe si pasojë u lëndua shoferi i makinës dhe 3 pasagjerët.
Ndërkohë në Shkopet një mjet doli nga rruga dhe si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi dhe pasagjerja që udhëtonte me të.
Edhe në Korçë një person i cili po lëvizte me motor mbeti i lënduar, pasi u përplas nga një makinë me drejtues një 74 vjeçar.
Në shifrat e larta të aksidenteve rrugore duket se kanë ndikuar dhe kushtet klimaterike, kjo për shkak se një pjesë e tyre ka dyshime të kenë ardhur dhe si pasojë e lagështisë në rrugë. Shkak ky që u vu re dhe gjatë pasdites së të shtunës ku në aksin Korçë-Pogradec u shënuan dy aksidente me 12 të plagosur.