Për nismën e tij të guximshme për të ulur në dialog dy rivalët historik Turqinë dhe Greqinë, për të zgjidhur konfliktin për Zonat Ekskluzive Ekonomike në Mesdheun Lindor që rrezikon të shkaktojë luftë të paprecedentë mes dy anëtarëve të NATO-s, kryeministri Edi Rama merr vlerësime të larta nga e përditshmja më e madhe gjermane, BILD.
“Krijues urash komunikimi” e konsideron kjo e përditshme kreun e qeverisë së Shqipërisë në krye të listës së personaliteteve fituese për lajmet që kanë nxitur gjatë një dite, për këtë të enjte. Sipas Bild, vetë kancelarja gjermane Angela Merkel e inkurajoi kryeministrin Rama në përpjekjet për të ulur në dialog krerët e diplomacisë së dy vendeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ministri i jashtëm turk Mevlut Vavusoglu, gjatë një konference për shtyp të Hënën në Ankara i dërgoi ftesë homologut grek për t’u takuar në Tiranë, pas ofertës që siç e pohoi edhe ai vetë, ia kishte bërë kryeministri Edi Rama.
Kjo nismë e Ramës e ndërmarrë gjatë vizitës së tij në Ankara e Athinë, bëri që palët të ulin tonet dhe të Greqia të pranojë ftesën për nisjen e raundit të 61-të të bisedimeve teknike më 25 Janar në Stamboll.
Ky takim i paraprin një takimi mes ministrave Cavusoglu dhe Dendias në Tiranë, në një datë ende të pacaktuar. Rama është i pari lider shqiptar që bëhet nismëtar për negociata për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.