Gazeta gjermane Bild raporton sot se një përplasje e armatosur mes NATO-s dhe Rusisë është e mundshme në muajt e ardhshëm. Bild i referohet një dokumenti sekret të Forcave të Armatosura Gjermane, sipas të cilave Rusia do të pushtojë shtetet baltike të NATO-s që në muajin korrik.
Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) po përgatiten për një sulm të mundshëm hibrid nga Rusia në krahun lindor të NATO-s këtë shkurt, thuhet në shkrimin e Bild.
Përshkallëzimi i parë midis NATO-s dhe Rusisë pritet që në shkurt, sipas një dokumenti sekret të Bundeswehr-it.
Dokumenti konfidencial detajon se si mund të lindë një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s, ndërsa situata përkeqësohet muaj pas muaji. Kulmi përfshin vendosjen e qindra mijëra ushtarëve të NATO-s dhe fillimin e luftës në verën e vitit 2025.
Raportimi i Bild ndërton një skenar për luftë që fokusohet te siguria dhe shmang specifikat në lidhje me numrin dhe lëvizjen e trupave të NATO-s.
Skenari i “Aleancës së Mbrojtjes 2023” të Bundeswehr-it parashikon që mobilizimi rus do të fillojë në shkurt 2024, i ndjekur nga një ofensivë pranverore në Ukrainë dhe një sulm ndaj vendeve baltike në korrik.
Priten sulme kibernetike dhe forma të tjera të luftës hibride.
Tensionet mund të arrijnë kulmin në tetor me Rusinë, ndërsa nis zhvendosja e trupave dhe raketave në Kaliningrad (enklavë ruse në Poloni).
Sipas shkrimit, Rusia mund të përsërisë pushtimin e vitit 2014 në Ukrainë në territorin e NATO-s me mbështetjen e Bjellorusisë, pas zgjedhjeve në SHBA, kur Shtetet e Bashkuara mund të mbeten pa lider.
Skenari përfundon 30 ditë pas “D-Day”, kur NATO, duke përfshirë Bundeswehr-in, vendos forca të rëndësishme ushtarake në krahun lindor.
I menjëhershëm ishte dhe reagimi nga Moska.
“Bild nuk heziton të shkruajë mashtrime, ndaj do të preferoja të mos komentoja”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një përgjigje për gazetarët që i kërkuan një reagim ndaj artikullit të gazetës gjermane.
Frika për zgjerimin e konfliktit në Ukrainë, vjen në një kohë kur autoritetet në Suedi lëshuan alarmin se në vendin nordik mund të shpërthente lufta. Shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Micael Byden, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen vullnetarisht organizatave të mbrojtjes për një konflikt të mundshëm të armatosur të nxitur nga Rusia.
Frikën e vendeve që janë afër shtetit të udhëhequr nga Vladimir Putin e shton dhe fakti që ushtria e tij ka ashpërsuar sulmet në Ukrainë.
“Nëse Kievi përdor raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuar nga Perëndimi, kundër vendeve të lëshimit në Rusi, Moska mund të përgjigjet me armë bërthamore”. Këtë paralajmëroi disa ditë më parë ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.