“Do t’i jem gjithmonë mirënjohëse Universitetit të Junetendo që më lejoi të stërvitem në mënyrë sekrete, për t’u rikuperuar dhe për t’u kthyer në aftësitë e mia normale”, – ka bërë të ditur me anë të një postimi në Tuiter gjimnastja amerikane, Simone Biles. Kujtojmë që ajo mori gjithë vëmendjen, pasi hoqi dorë thuajse nga të gjitha finalet e Olimpiadës, për t’u kthyer më pas me medalje bronzi në tra.
Kampionia ka zbuluar se është stërvitur në një palestër “sekrete”, që i është vënë në dispozicion nga një prej universiteteve të Tokios. Gjithçka, sipas “Wall Street Journal”, ndodhi të mërkurën e javës së kaluar, kur një nga trajnerët kontaktoi universitetin dhe i bëri të ditur se një gjimnaste kishte nevojë të përdorte palestrën.
Përgjigja e parë e profesor Aokit, i cili iu përgjigj telefonatës, ishte negative: “Është vërtet shumë e komplikuar”, – tha ai, ndërsa trajnerit më pas iu desh të zbulonte emrin e njohur. “Është Biles”, – tha trajneri dhe menjëherë situata e komplikuar u zgjidh. Për dy orë në ditë amerikania është stërvitur larg syve kureshtarë.
“Twisties” që e kanë goditur, pra mungesa e aftësisë për t’u orientuar në hapësirë, duhej të kuroheshin larg vëmendjes, që ditët e fundit ishte rritur shumë, pas refuzimeve për të marrë pjesë në disa gara. Për të dalë nga ajo situatë e komplikuar, Biles thuajse ka nisur gjithçka nga e para, nga ushtrimet më elementare.
Dhe ajo video, ku ajo nuk arrin të kapë paralelet simetrike dhe bie në dyshek si një thes me patate është bërë pikërisht në palestrën, që për një javë u bë “fortesa” e saj. Dy orë në ditë, larg të gjithëve, e shoqëruar vetëm nga trajnerët dhe një pjesëtar i stafit mjekësor. “Japonezët ndoshta janë njerëzit më të ëmbël që kam takuar në jetë. Faleminderit nga zemra!” – është shprehur Biles.