Bamirësia ka qenë gjithmonë një virtyt i të pasurve. Në dekadën e fundit ka pasur një rritje eksponenciale të numrit të miliarderëve-filantropëve, aq sa në 2010 Bill Gates dhe Warren Buffett filluan lëvizjen “The Giving Pledge” të sipërmarrësve dhe biznesmenëve të cilët janë zotuar të dhurojnë shumë nga pasuritë e veta për qëllime bamirësie.
Në fillim, miliarderët që ranë dakord të merrnin pjesë ishin 62, por deri në fund të vitit 2020 ky numër arriti deri në 216.
Bumi i dhurimeve
Duke parë statistikat në përgjithësi, vetëm në periudhën 2013-2015, rreth 23.9 miliardë dollarë u caktuan për nisma bamirësie. Që atëherë, shifrat janë rritur nga viti në vit.
Sipas “Wealth-X and Arton Capital Philanthropy Report” donacionet u rritën me 3% në 2015 krahasuar me një vit më parë, ku ishte regjistruar një rritje prej 6.4%.
Sidoqoftë, vetëm 18% e donacioneve totale shkojnë për organizata multilaterale dhe organizata bamirëse që operojnë në këtë fushë, ndërsa shumica e fondeve përfundojnë në fondacione private të familjes, shpesh të kontrolluara nga vetë donatorët dhe me mundësinë e transferimit te trashëgimtarët. Sot ka rreth 200 000 të tilla në botë.
Përparësitë tatimore të fondacioneve private
Shumica e aktiviteteve të fondacioneve private, për secilën ndërhyrje, ndjekin analizat kosto-përfitim.
Premisa është që gjithmonë të fitohet një kthim ekonomik, pasi nuk ka rezultat pa fitim.
Kjo është arsyeja pse ata shpesh punojnë së bashku me shumë kombe. Sipas vizionit të tyre, tregu është në gjendje të propozojë zgjidhjet më të mira për problemet globale, ndryshe nga sektori publik, i cili zakonisht është joefikas dhe i paralizuar nga burokracia.
Fondacionet e komunitetit, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ku ky institucion lindi mbi njëqind vjet më parë, gëzojnë përfitime të majme tatimore: “Sa më i pasur dhuruesi, aq më shumë bëhet zbritja e taksave për bamirësi” thuhet në raportin i Gilded Giving 2020 Pledge.
Për çdo dollar të vendosur në fondacionin e tij privat, miliarderi rikuperon deri në 74 cent në uljen e taksave. Të ballafaquar me këto përparësi, fondacionet kanë vetëm një detyrim: të investojnë të paktën 5% të buxhetit të tyre çdo vit në bamirësi, ndërsa pjesa tjetër mund të mbetet edhe në para.
Shpenzimet administrative, pagat e punonjësve dhe kontributet në fonde të tjera mund të përfshihen në këtë 5%. Sidoqoftë, zbritjet e taksave zbatohen për dhurimet totale, shkruan Corriere della Sera.