Bill Gates e ka krahasuar koronavirusin me një luftë botërore, dhe ka thënë se do të duhen vite për të kapërcyer dhembjen që ka shkaktuar.
Miliarderi, në një letër të postuar “online”, shkroi se pandemia do të shenjojë një brez të tërë.
“Kjo është si luftë botërore, vetëm se në këtë rast, jemi të gjithë në të njëjtën barkë. Është e pamunduar të përshkruhet dhembja që po ndjejnë njerëzit tani dhe do të vazhdojnë të ndjejnë edhe në vitet në vazhdim”, lexohet në letrën e Gates, i cili ka dhuruar 45 miliardë dollarë për kërkimin e vaksinës për Covid-19.
“Unë dhe bashkëshortja ime Melinda kemi mësuar se Lufta e Dytë Botërore ka qenë moment përcaktues për brezin e prindërve tanë. Në mënyrë të ngjashme, pandemia Covid-19 do të shenjojë këtë brez. Nëse në vjeshtën e vitit 2021 do të ketë njerëz që shkojnë në evente të mëdha publike apo stadiume, do të ndodhë sepse kemi gjetur një trajtim dhe njerëzit kanë besim që të dalin jashtë sërish”, shton Gates.
Në fund, themeluesi i Microsoft, pati edhe fjalë optimizmi: “Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati shumë inovacione si radari dhe deshifrimi i kodeve që ndihmuan në përfundimin më të shpejtë të saj. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me pandeminë”.