Kryesore “Bindja e Patozit” imiton PD-në: Ja si duket logoja dhe kush janë...

“Bindja e Patozit” imiton PD-në: Ja si duket logoja dhe kush janë themeluesit (EMRAT)

Pas regjistrimit në Gjykatën e Tiranës është dorëzuar edhe në KQZ formulari për regjistrimin e partisë së Astrit Patozit dhe të pakënaqurve në PD, “Bindja Demokratike”.

Dokumentacioni u dorëzua nga një prej themeluesve të kësaj force politike, Fabian Topollai, i cili ka qenë këshilltar demokrat në Bashkinë e Tiranës.

Në ditën e regjistrimit të Bindjes Demokratike si subjekti më i ri politik në Shqipëri, kryetari i saj, Astrit Patozi, ka shpjeguar përmes një postimi në Facebook pse ka ndërmarrë këtë nismë.

“Bindja Demokratike nuk ka armiq, por vetëm kundërshtarë. Ajo nuk ka miq, por vetëm partnerë. Bindja nuk ka kushërinj, shokë dhe familjarë, sepse ka zgjedhur që në fillim të mbrojë dhe përfaqësojë interesin publik”, shkruan Patozi në postimin e tij.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike sulmon të dy kampet kryesore politike, të cilat i bën përgjegjëse për gjendjen aktuale politike në vend. “Ne mendojmë se fuqia e pakontrolluar e pushtetit të Edi Ramës, buron edhe nga pafuqia e opozitës zyrtare, sidomos nga pranimi prej saj i modelit të qeverisjes së partisë dhe më pas qeverisë. Opozita zyrtare e shikon pushtetin e Edi Ramës si model që mund ta shfrytëzojë për vete, kur t’i jepet rasti. Që do të thotë se ajo nuk e sulmon atë, por thjesht e lakmon. Ajo nuk do ta shembë atë model, por do që ta përvetësojë. Ajo nuk do të ndryshojë Shqipërinë, por do të ndryshojë vetëm pushtetin në këtë vend. Ndërsa ne jemi kategorikisht kundër kësaj. Sepse ne besojmë se Shqipëria qeveriset, ashtu siç administrohet partia. Nëse nuk bën zgjedhje të lira në parti, nuk mund të kërkosh zgjedhje të lira në Shqipëri. Nëse nuk lufton korrupsionin në parti, nuk mund ta luftosh atë në Shqipëri. Nëse nuk respekton një sistem vlerash në parti, nuk mund të respektosh elitat në Shqipëri”, shton ai.

Anëtarë të këtij bordi do të jenë: Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i tij Astrit Patozi.

Po sot Bindja Demokratike dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për pjesëmarrje si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

 

Logoja e Bindjes Demokratike