Kryesore “Binjak i marinës së Dubait”, Rama: Durrësi do të jetë porti më...

“Binjak i marinës së Dubait”, Rama: Durrësi do të jetë porti më i madh i Mesdheut

“Porti i Durrësit ndryshon Shqipërinë përgjithmonë”

Është nënshkruar sot Memorandum i Bashkëpunimit për ndërtimin e portit turistik të Durrësit.

Investimi prej dy miliardë dollarësh është një bashkëpunim midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”.

Në fjalën e tij në ceremoni kryeministri Edi Rama tha se ky është investimi më i madh turistik dhe në rajon.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi ndërtimin e portit turistik të Durrësit një investim strategjik që do ndryshojë përgjithmonë ekonominë e vendit.

Sipas kreut të qeverisë, investimi i paparë ndonjëherë në vend që i kalon 2 mld dollarët do ta bëjë Durrësin portin turistik më të madh në Mesdhe dhe binjak të marinës së Dubait.

Investimi, tha Rama, përveçse do të hapë mijëra vende pune, do të rrisë vlerën e pronës në gjithë plazhin e Durrësit.

“Me ndërtimin e këtij porti të rritet eksponencialisht vlera e pasurisë së të gjithë qytetarëve të Durrësit, do të rritet vlera e të gjitha hoteleve në vijën bregdetare. Këtu është fjala për imazhin komplet tjetër që do të ketë Shqipëria në botë. Durrësi do të jetë porti më i madh i Mesdheut, do të jetë port binjak i marinës së Dubait. Ky port hap një perspektivë të re. Shteti shqiptar në këtë port nuk do të jetë siç është parafytyruar dikur si thjesht etniteti që i jep tokën një investitori, shteti shqiptar aty do të jetë aksioner. Shteti është ortak kur ata që negociojnë mendojnë për shtetin dhe jo për veten e tyre”, tha Rama.

Opozita e ka akuzuar projektin se nuk ka transparencë dhe se nuk është e qartë kush fshihet pas këtij investimi.