Dy binjake shqiptare surprizuan skenën e programit televiziv “The Voice of Italy” me këngën rap shqip “Shumë pis”.
Ina e Serena Sinani, dy motra të grupit rap Sindolls janë zgjedhur të jenë pjesë e talent show-t televiziv The Voice of Italy.
Ato kanë konkurruar gjatë natës së parë të këtij programi duke u vlerësuar me “4 Po” nga këngëtarët trajnerë të këtij show.
Vajzat shqiptare kanë surprizuar me talentin e tyre publikun në sallë dhe anëtarët e jurisë së përbërë nga këngëtarët Gigi D’Alessio, Morgan, Gue Pequeno e Elettra Lamborghini.
Të 4 këngëtarët trajnerë të këtij talent show kanë kërkuar që grupi Sindalls të bëhet pjesë e skuadrave të tyre. Por motrat shqiptare për shkak të afërsisë së stilit të tyre muzikor kanë preferuar skuadrën me trajner këngëtarin rap Gue Pequeno.
Ina e Serena Sinani kanë performuar shqip këngën rap me titullin “Shume pis”, kënduar nga Era Istrefi e Ledri Vula.
Ina e Serena Sinani janë dy motra binjake 20-vjeçare të cilat jetojnë në Monza me familjen e tyre.
Ato janë të apasionuara pas muzikës rap e deklarojnë se shkruajnë tekste e kompozojnë këngët e tyre. Përkufizohen “dy binjake një mikrofon”, e frymëzohen nga thënia “Vetëm kush është i paaftë thotë që është e pamundur.”
Emri i grupit të tyre Sindolls do të thotë “kukullat e mëkatit”.
Programi televiziv “The Voicy of Italy” 2019 transmetohet një herë në javë në Rai 2 e drejtohet nga prezantuesja e njohur Simona Ventura.