Shefja e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, është shprehur këtë të mërkurë se ka pasur disa persona që janë infektuar pasi kanë marrë vaksinën antiCovid. Megjithatë ajo u shpreh se kanë qenë forma të lehta.
“Ka pasur disa persona që janë infektuar, por asnjë nuk është shtruar në spital. Edhe në data bazën që kontrollojmë në lidhje me shtrimet në spitale të vaksinimit, nuk shikojmë raste që të shtrohen në spital dhe të jenë vaksinuar. Ka pasur raste, të cilat kanë qenë forma të lehta. Situata po ndiqet me vëmendje për të gjitha llojet e vaksinave dhe kur flasim, flasim për të gjitha llojet e vaksinave”.
Bino tha se po vlerësohet nëse në Shqipëri ka hyrë mutacioni indian. Megjithatë duke iu referuar lajmeve të shumta për rritje të numrit të infektimeve në Indi, Bino tha se më shumë po bëhet zhurmë në media.