Nëse keni në shtëpi një familjar të prekur nga koronavirusi nuk duhet ta bëni vaksinën anti-covid pa kaluar të paktën një muaj. Por nëse keni patur kontakte me një të prekur jashtë familjes, duhet të prisni të kalojnë dy javë.
Silva Bino këshillon qytetarët të ndjekin këtë këshillë, ndërsa u kërkon të mos fshehin problemet shëndetësore gjatë pyetësorit në qendrat e vaksinimit.
“Shpesh herë, ka qytetarë që janë asimptomatik dhe kanë pasur kontakt me një person pozitiv. Normalisht, ata nuk duhet të vaksinohen brenda dy muajve. Kur kanë të infektuar brenda familjes, duhet të kalojë dy herë periudha e inkubacionit”, tha Bino.
Shefja për Sëmundjet Infektive në Institutin e Shëndetit Publik deklaron se të katër tipet e vaksinave që kanë hyrë në Shqipëri janë efikase dhe ulin format e rënda dhe vdekjet nga koronavirusi.
“Nuk ka asnjë indikacion të veçantë për një vaksinë apo tjetër. Të gjitha vaksinat të mbrojnë ndaj sëmundjeve të rënda 100% dhe ndaj vdekjeve. Ky është misioni kryesor në lidhje me Covid-19. Sa i përket transmetueshmërisë, kjo gjë po studiohet”, tha Bino.
Instituti i Shëndetit Publik ka nisur vlerësimin për efikasitetin e vaksinave anti-covid, proces që do të marrë më shumë se 1 vit kohë. Ndryshe nga Turqia dhe Brazili, Shqipëria nuk është pjesë e studimeve klinike për efikasitetin e vaksinës kineze “Sinovac”.