Nuk është se bie shumë në sy dhe vështirë se bën ndonjë veprim të paharrueshëm në fushë, por nëse Toni Kroos është prej vitesh “gjeometri” i Real Madridit, që ka fituar gjithçka, një motiv duhet ta ketë.
Gjermani me gjeometrinë e tij ka rezultuar një ndihmë e madhe për çdo lojtar që ka shkuar në “Bernabeu” që kur është ai aty dhe i ka bërë gjërat më të lehta edhe për Gjermaninë, ku dha një kontribut të rëndësishëm në triumfin e Botërorit 2014.
Megjithatë, Kroos nuk është se shfaqet shpesh në media, ndoshta sepse zgjedh bashkëbisedues të veçantë dhe, siç zbulojnë mediat gjermane, pak kohë më parë ka pasur edhe një bisedë në Instagram me Frank-Ëalter Steinmeier. Për ata që nuk e njohin, përgjigja është Presidenti i Gjermanisë. Sigurisht jo një person i zakonshëm, ashtu si dhe argumenti që Kroos ka diskutuar me Qytetarin e Parë të Republikës Federale Gjermane.
Ata kanë folur për çështjen “Ozil”, dhe për mënyrën se si Kroos u sulmua në rrjetet sociale kur kritikoi Ozilin për vendimin për të lënë kombëtaren. Një pozicionim që i kushtoi Kroosit akuza shumë të rënda, me Kroos që zbulon:
“Pas Botërorit 2018, thashë se nuk më pëlqeu mënyra se si Ozili hoqi dorë nga Kombëtarja Gjermane dhe, pastaj, për shumë njerëz, papritur, u ktheva në një nazist. Më akuzonin se isha i tillë. Biond, me sy të kaltër, për shumëkënd dukej se gjithçka përputhej. Ishte shumë e vështirë për mua ta kaloja diçka të tillë”.
Sidomos në një vend ku plagët e nazizmit janë ende një argument i vështirë për t’u përballur. Nga kjo eksperiencë personale, Kroos ka përfituar për të folur me Presidentin për një çështje të rëndësishme si ajo e dhunës verbale në rrjetet sociale. Diçka që godet shpesh futbollistët, por edhe personazhet publike si politikanët.
“Sot, kushdo mund të fshihet pas një profili të rremë dhe të fyejë dikë që nuk e njeh pa e ndaluar askush. Imagjinoj se i ka ndodhur dhe Presidentit, pasi edhe politikanët, ashtu si futbollistët, janë njerëz që ngjallin reagime ekstreme”.
Me pak fjalë, ashtu si në fushë, edhe në analizën social-kulturore Kroos është i veçantë dhe demonstron se është një njeri për t’u vlerësuar, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.