Autoritetet në Pakistan kanë bërë më në fund me dije shkaqet e rrëzimit të avionit të “Pakistan International Airlines” muajin e kaluar, ku për pasojë humbën jetën 97 persona që ishin në bord.
Sipas ministrit të Aviacionit, pilotët e avionit ishin shpërqendruar pasi ishin duke bërë një bisedë rreth pandemisë së koronavirusit.
Avioni Airbus A320 që fluturonte nga Lahore në Karaçi më 22 maj u rrëzua në një zonë rezidenciale, ndërsa përgatitej të ulej në aeroportin e Jinnah.
Të dhënat paraprake të raportit për këtë aksident të rëndë tregojnë se fajtorë ishin pilotët dhe kontrollorët e trafikut ajror sepse nuk kishin ndjekur protokollet.
Sipas ministrit Ghulam Sarwar Khan, avioni ishte i përshtatshëm për të fluturuar dhe nuk kishte asnjë problem teknik. Ai shtoi se piloti dhe bashkëpiloti ishin fokusuar tek një bisedë rreth koronavirusit, pasi pjesëtarë të familjeve të tyre ishin të infektuar.
Aksidenti ndodhi vetëm disa ditë pasi autoritetet në Pakistan vendosën të lejojnë fluturimet komerciale që ishin mbyllur prej disa muajsh për shkak të pandemisë.