Nga Albana M. Lifschin
E gjeta veshur me një palë pantallona verore të lehta dhe një bluzë thuajse atë ngjyrë me lule nëpër të.
-Gjithmonë e kombinuar ti mama, dukesh sikur je veshur për të dalë diku.
– E po, ç’kuptim ka t’i ruaj rrobat. Në moshën time është më mirë t’i gëzoj, apo jo?
E fillova me pyetje nga rinia e saj. Asaj i pëlqeu ta niste nga fëmijëria.
-Kur ishim fëmijë e gjykonim botën brenda lagjes sonë. Aty ku banonin ne, kishte më shumë hebrenj, italianë dhe zezakë. Ne mendonim se kështu duhet të ishte e gjithë bota. Në përgjithësi ishim të varfër. Nënat rrinin në shtëpi, gatuanin, kujdeseshin për fëmijët. Baballarët punonin. Rrallë shihje fëmijë të vazhdonin shkollën e mesme, pasi hynin në punë për të ndihmuar familjet. Familjet kishin 5, 6 edhe 7 fëmijë.
Përpiqesha të merrja me mend për ç’kohë po fliste vjehrra. Duke patur parasysh që ajo ka lindur në 1914, i bie të ketë qenë fillimi i viteve 20, të shekullit 20.
Ato kohë, ne fëmijët luanim shumë. Nuk mblidheshim në shtëpi, derisa na detyronin prindërit të uleshim për të bërë detyrat e shkollës. Por nuk kishim shumë lodra. Mbaj mend një kukull të vogël, thuaj sa një gisht që kushtonte 5 cent, ajo ishte kryesisht lodra jonë. Kërkonim kuti kartoni të vogla që të sajonim një si shtrat për kukllën.
Në bllokun tonë, ishte një vajzë me ngjyrë, më e vogël se ne, ndoshta 5 vjeç. Të zinjtë ishin minoritet. Luante e vetmuar në oborrin pas pallatit ku banonim, ndërkohë që ne të tjerat luanim sëbashku.. Na shkonte mendja tek ajo, si mund të luante vetëm? Ishim kureshtare të shikonim se ç’bënte. Një dite shkuam të perziheshim me të. Ne iu afruam, ajo s’u ndje, por as u largua. Unë guxova ta puthja në faqe. Pas meje, shoqja ime, Simi, bëri të njëjtën gjë, pastaj edhe tjetra edhe tjetra. Dhe e di? Nuk na u duk më çudi se puthëm një vajzë që s’ishte e bardhë si ne. Megjithatë prindërve nuk u treguam. Në vetvete na dukej se kishim bërë një heroizëm. Fëmijëria vazhdonte gjatë ato kohëra. Sot mbaron që pesë vjeç, kur fëmijët ulen në kompjuter. Dhe rinia fillonte vonë e gëzohej si rini. Më kujtohet im vëlla, i madhi, (atëherë ishte rreth njëzet vjeç) bashkë me disa shokë morën me qira podrumin e një godine dhe çdo fund jave ftonin shoqërine e tyre, djem e vajza dhe bënin mbrëmje. Unë me Simin ishim 13-14 vjeç, por vendosëm të shkonim edhe ne. Hyjmë në sallë, të zëna për dore dhe mbetem ashtu derisa im vëlla na pa. Ai u afrua dhe na prezantoi me zë të lartë: “Kjo është motra ime e vogël me shoqen e saj, Simi”.
Ne u turpëruam, dolëm jashtë e s’u kthyem më. Nuk kishte asgjë ekstravagante në ato mbrëmje. Ato kohë, vajzat fillonin të njiheshin e të bënin shoqëri me djem pas të tetëmbëdhjetave. As që flitej për seks. Kush e shkelte, ishte vajzë që tregohej me gisht.. Virgjëria ruhej për martesë.
(Mua mu kujtua personazhi Vito Juvara i filmit italian” Gruaja më e bukur”, që tha diku:” E ç’pasuri tjetër mund t’i sjellë gruaja burrit në martesë, veç virgjërisë?)
-Bëhet shpesh krahasimi i gjendjes ekonomike të Amerikes sot me atë të periudhës së depresionit të viteve 30-të . Si të duket ty ky krahasim? A të kujtohet ajo periudhë?
– Më kujtohet që gratë atë kohë u bënë amvisa të mira me ekonominë e familjes. Nëna jonë dinte si të manovronte me ushqimet, me gatimin. Më kujtohet që blente ne treg fruta me çmime fare të ulta, nga ato që ishin duke u kalbur, u priste pjesën e kalbur dhe me pjesën e mirë gatuante kek me fruta e bënte komposto. Gatuante biskota, për të na zëvendësuar ëmbëlsirat. Sa për akulloren që ne e donim shumë , as që bëhej fjalë. Mbaj mend edhe një gjë tjetër. Të premteve e të shtunave, biznesmenët hebrenj vinin në dispozicion furrat e pjekjes për familjet e lagjes ku kishin bizneset. Furrat ishin ende të nxehta dhe gratë shpinin atje tavat për të pjekur dhe nuk u duhej të paguanin asgjë.
I thashë të më fliste për njohjen me të shoqin dhe martesën e saj.
-Unë u njoha me tim shoq pas luftës së dytë botërore. Ai kishte qënë në luftë dhe vazhdonte shkollën për farmacist dhe njëkohësisht mbante një farmaci. Nëna ime më thoshte gjithnjë: ”Je martuar me gjysmë-doktor”. Ai ishte i gjatë, unë isha e shkurtër. Nuk më ndihmonin as takat, nuk i arrija as deri tek supi. Dolëm disa herë sëbashku. Për një kohë i ndërpremë të dalat, pastaj u takuam sërish dhe vendosëm për martesë. Ishte viti 1948. Ejb nuk ma prishte kurrë qejfin.
Më shkuan sytë tek një punim artistik i gdhendur në dru që vjehrra e mbante në mur. Ishte një anije e vogël me dy vela të bardha. Po ta vëreje me kujdes, konturet e zeza të velave të bardha formonin emrat e vjehrrës dhe të shoqit.
-Ato kohë, vazhdoi ajo,- nëse çifti kishte mundësi të merrte një apartament me qira, ishte gjë e madhe, ndryshe rrinte akoma me prindërit”.
-Me cilët prindër? Të djalit apo të vajzës?
-Vajzat preferojnë të rrinë me mamatë e tyre edhe pas martesës. Ndihen më rehat se me vjehrrat. Fillimisht jetuam në një apartament me qira. Vonë blemë shtëpinë tonë. Na kushtoi 13 mijë dollarë. Qesharak si çmim për ditët tona, por atëherë nuk ishte pak. Shtëpia ishte dykatëshe, kishte oborr dhe një pemë të madhe. Blloku ku banonim kishte një fushë të gjërë për të luajtur fëmijët. Ata rrinin pothuaj tërë ditën jashtë. Nuk kishte trafik si sot, kështu që nuk shqetësohej njeri për ta. Kur djemtë ishin njëri 7 vjeç dhe tjetri pothuaj 6, iu bë ‘dhuratë” një qenush. Them kështu sepse “dhurata” ka një histori interesante. Djemtë e kishin gjetur pranë supermarketit dhe e sollën në shtëpi. Qenushi ishte i bukur, por përreth qafës kishte një rrip lëkure, në të cilin ishin shënuar disa numra. Kjo do të thoshte që ai e kishte një zot.
-Oh, i gjori paska humbur! thashë unë dhe lajmërova menjëherë ASPCA. Ata ndihmojnë për gjetjen e kafshëve të humbura e i dorëzojnë ato tek pronarët e tyre. Ndërkohë fëmijët e mi u miqësuan shumë me qenin. Luanin me të tërë kohën, brenda në shtëpi dhe jashtë në oborr. E merrnin me vete kudo. I vunë një emër. E quajtën Tafi, për shkak te ngjyrës që kishte. Ka disa karamele që quhen Tafi. Kanë një ngjyrë si kanellë dhe të shkrijnë në gojë. Shumë shpejt Tafi u bë mik i të gjithë fëmijëve të bllokut. Mirëpo gëzimi nuk u zgjati shumë. Një ditë u duk e zonja e qenit e cila e mori Tafin me vete. Djemtë qanë me lot dhe e ndoqën pas. Të dhimbseshin tek i shihje aq të dëshpëruar. Në lagje ato ditë sikur kishte rënë zija. U ndje shumë mugesa e Tafit. Mirëpo ndodhi mrekullia . Vetëm një javë më pas, zonja u kthye sërish sëbashku me qenin. Ajo u buzëqeshi fëmijëve dhe ua dha qenin si dhuratë. E pyeta se përse e bënte këtë. Në konfidencë më tregoi se kishte kohë që përpiqej “ta harronte“qenin, herë në një vend e herë në një tjetër, kur dilte jashtë me shprese se dikush do ta pronësonte, por gjithnjë ia sillnin në shtëpi. Ajo nuk ishte në gjendje ta mbante më. Tafi jetoi gjatë e i shoqëroi djemtë edhe në rininë e tyre. Madje qeni jetoi deri ne dasmën e parë që u bë në familjen tonë.
E pyeta vjehrrën se sa të qëndrueshme ishin lidhjet martesore atë kohë, krahasuar me të sotmet.
-Oh , pa dyshim ishin shumë më të qëndrueshme se të sotmet. Nuk para dëgjonim për divorce. Ndoshta edhe kishte, por unë në rrethin që njihja nuk mbaj mend ndonjë rast divorci. Familjet ishin më të mëdha, gratë lindnin shumë fëmijë dhe kujdeseshin për ta. Burrat punonin. Gratë ishin të varura ekonomikisht nga burrat. S’kishte asnjë arsye për sherre në familje. Sot gratë janë të pavarura, bëjnë vetëm një ose dy fëmijë. Dhe ka shumë divorce.
-A nuk kishte tradhëti bashkëshortore atëherë?
-Ndoshta. Me siguri duhet të kishte burra që i gënjenin grate e tyre, por unë vetë nuk mbaj mend asnjë rast të tillë në rrethin familjar apo të të njohurve. Vëllezërit e mi ishin besnikë ndaj grave të tyre.
– Tani lidhur me moshën. Unë të kam zili që ti ende mbahesh si e re , dmth vishesh gjithnjë me shije, me ngjyra të çelura, s’del kurrë jashtë pa bërë tualet, nuk mungon asnjëherë në rastet familjare, del vazhdimisht me shoqet … Sa e ndjen ti moshën?
Ajo vuri buzën në gaz.
-Në të vërtetë, mua më duket se jam gjithmonë njëlloj, nuk di të përcaktoj moshën, por vitet i ndjej në dhimbjet e trupit. Herë në krah, herë në duar. Shiko tek kjo dorë (ajo hapi pëllëmbën ku unë pashë një vijëz si vijëzat e fatit), këtu kam bërë një operacion. Njëherë jam rrëzuar, tek “Save a thon”. Të kujtohet? Nuk ec dot gjatë si më parë, kam filluar të harroj. Ty të lutem herë pas here të ngresh zërin kur flet me mua, se jam rënduar ca nga veshët; këtu është mosha, por në shpirt, jam gjithmonë njëlloj. Nuk i ve dot moshë shpirtit. Në familjen tonë, vazhdoi ajo, vëllezërit e mi vdiqën në moshën 84 vjeç. Ime motër në moshën 90, unë po jetoj me gjatë se të gjithë të tjerët dhe po çuditem me veten. S’më besohet. I thashë Pollit një ditë: ”Poll, në gusht bëhem 85? Apo 95?
Unë qesha, besova se po bënte shaka.
“Njerëzit jetojnë shumë më gjatë në ditët tona, pasi i ndihmon zhvillimi i shkencës mjekësore. Oh, sot Lina, shoqja ime, bëhet 80, u kujtua papritur ajo. “Pasi të mbarojmë bisedën bashkë, duhet ta uroj…
M’u kujtua që njëherë, më kishte thënë që “shoqet mbaji më të reja se veten, në do të ndihesh e re”. Lina ishte 15 vjet më e vogël se ime vjehërr.
-Do të shkoni në restorant ta festoni…Mama, të kam vënë re që ti ha me oreksin e një të reje. Ti zakonisht porosit llabstër, e ngacmova.
-Unë ha me qejf sepse porosis atë që më pëlqen. Por nuk ha shumë si më parë, gjithnjë pjesën më të madhe të ushqimit e marr në shtëpi.
– Edhe ëmbëlsirat i ha me dëshirë…
-Oh ato po! Gjithë jetën më kanë pëlqyer…
-Ti ruan shoqëri të gjata prej dekadash me mikeshat e tua. Unë e di që ke shkuar deri në Oregon, Florida, e ftuar prej tyre. Me Simin e keni ruajtur shoqërinë, një lloj si atëherë. Jane po ato mikesha që ke patur që në rini. Këtu, me Linën dhe shoqe te tjera luani kanasta, shkoni në restorante, kinema, në teatër në Broadway Si e ruani shoqerinë kaq gjatë e nuk prisheni?
Ajo qeshi.
-Kemi padyshim gjëra të ngjashme. Por më shumë se ngjajmë, e çmojme njëra-tjetrën. Ne nuk diskutojmë fjala vjen për politikë, kur e dijmë që kemi pikëpamje të ndryshme. Diskutimet për politikën e prishin atmosferën miqësore. Për shembull Lina është republikane e çmendur. Unë jam demokrate. Unë ia di dobësinë Linës, ndaj nuk dal kurrë në atë zonë. Edhe djemve u kam thënë që , kur është Lina këtu mos flisni kundër republikanëve. Ne s’merremi me politikë. Ne shijojmë shoqërinë tonë.
-Presidenti Obama po përpiqet t’i ndihmojë emigrantët, të bëjë legalizimin e atyre pa dokumenta. Cili është mendimi yt për emigrantët?
– Unë s’kam qenë kurrë kundër emigrantëve. Ne të gjithë jemi emigrantë. Babai im ka ardhur në këtë vend në shek. 19, kur ka qenë foshnje, një vjeç. Të gjithë emigrantët vijnë për një jetë më të mirë në Amerikë. Unë do të doja që ata të mësojnë anglishten dhe të punojnë legalisht, të paguajnë taksat. Ashtu ndihmojnë dhe shtetin e bëhen qytetarë të mirë. Shoqja ime Lina, i jep shumë rëndësi gjuhës angleze, bëhet nervoze kur dëgjon të flitet gjuhë tjetër veç anglishtes, veçanërisht në restorante e vende publike. Unë i them t’u japë kohë emigrantëve, pasi së pari ata kanë nevojë të punojnë të sigurojnë jetën ekonomike të familjes, të rrisin fëmijët, pastaj të shkojnë në shkollë.
-Me që jemi tek emigrantët, ç’mendove ti kur Polli të tha që ishte njohur me mua?
– Për mua ka rëndësi gjithnjë lumturia e fëmijëve të mi. Nëse janë ata të lumtur, jam edhe unë. Kur të pashë, të pëlqeva. Nuk flisje shumë, por pashë se si reagoje ndaj fëmijëve. Kishim një nip të vogël atë ditë në shtëpi… Të ndriste fytyra kur merreshe me të. Të kam në një fotografi me Nikolas. Dukesh sikur je nëna e tij, kaq shumë shendrit.
-OK, po pastaj, më vonë?
– Më vonë kur mësova që shkruaje libra, më pëlqeve edhe më. Me që ra fjala, librin tënd për fëmijët e Kosovës e ka lexuar gjithë shoqëria ime, ti besoj e di këtë.
Mu kujtua vera e vitit 1999, plot dhjetë vjet më parë, kur shkruaja “Children of Kosova- stories of horror”. Ajo merrte dorëshkrimet e mia dhe korrigjonte gabimet. Në fund më jepte kurajo e më thoshte :“Këto histori janë shumë prekëse, do t’i bëjnë amerikanet për të qarë. M’u kujtua që atë kohë vërtet mikeshat e saj më shikonte me dashuri e më thoshin:” Your mother-in-law is so proud of you…”
Unë i isha mirënjohëse. Ajo dinte mjaft për Kosovën, madje që përpara se të fillonte lufta. Më kujtohet, një rast kur presidenti Kllinton tregoi në ekranin e televizorit me dorë hartën e Kosovës, për teleshikuesit Ishte viti 1999, ndoshta pak para hyrjes së Natos në Kosovë, apo pikërisht atë kohë. Unë e kisha takuar time vjehërr për herë të parë në 1996 dhe më kishte bërë përshtypje që dinte për Shqipërinë dhe Kosovën. Dinte se ç’bëhej në Kosovë. Ia dita për nder që, kur mësoi që isha nga Shqipëria nuk tha :” Ah, Shqipëria, vendi më i varfër i Evropës!”siç më kishte ndodhur më parë. Ndërgjegja ime lëndohej, se atdheu im për mua ishte gjithashtu më i bukuri …
Në shtëpinë e vjehrrës sime ka shumë libra, gjithmonë pranë tavolinës së abazhurit ka një libër të hapur. Libra gjen pranë shtratit të saj, po ashtu. Në tavolinën e mesit, në dhomën e ndenjes, disa janë vendosur “në këmbë”. Në mes tyre ka vënë edhe dy librat e mi në anglisht,” Children of Kosova –Stories of Horror” dhe librin me poezi ‘Yesterday I cut my hair”.
Librin e merr me vete kudo, kur vjen tek unë për vizitë, apo kur shkon tek mikeshat e saj. I është bërë zakon. Nuk del pa të nga shtëpia. Mu kujtua një episod që më tregoi Polli një mbrëmje. Ndërsa e kishte marrë në makinë për të blerë ushqime, (ai e ndihmon për të bërë pazarin) kur do të hynin në supermarket, ajo zbriti nga makina e tij me libër nën dorë. “ Mama’ , i thashë, do të hyjmë në dyqan tani, ç’të duhet libri me vete? Atëherë ajo u kujtua dhe u kthye për ta lënë librin brenda në makinë.
– Ti s’e ndan librin nga dora, mama. Çfarë librash pëlqen më shumë?
-Librat që kanë histori legale si edhe librat që kane mistere që kërkojnë zgjidhje. Mu kujtua John Grisham, librat e të cilit ia kisha parë në bibliotekë.
-Po, psh…Daniel Steel? e pyeta unë duke menduar që kjo autore është përkthyer shumë në Shqipëri.
-Jo, tha ajo, nuk e lexoj.
-Tani je 95 vjeçe… A të ka mbetur ndonjë merak nga jeta deri tani?
-Kam një merak që do ta marr me vete: që nuk isha nja 5-6 cm më e gjatë. Edhe sot e kësaj dite kur dëgjoj që më thonë se jam e shkurtër s’më vjen mirë. Më ndodhi kjo me një doktor, i cili kur më pa më tha me përkëdheli ”Oh, ju, zonjë e vogël!”
Albana M. Lifschin
Bruklin , NY,2014