Edhe pse këtë fundjavë temperaturat shënuan rritje, ekspertët e meteorologjisë paralajmërojnë për rikthim të acarit.
Nga vendet iberike si Portugalia dhe Spanja, tashmë i ftohti polar po zhvendoset drejt Europës Jugore dhe asaj Lindore. Holanda dhe Gjermania po përjetojnë temperaturat më të ulëta të dekadës së fundit, ndërsa Britania po vuan pasojat e asaj çka është quajtur “Stuhia Darcy”.
Agjencia Shtetërore e Motit në Berlin deklaroi “Kodin e Kuq”, një situatë e rrallë kjo për vendin, pasi erërat e acarta arritën deri në 90 km/h. Vetëm në Gjermani, gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar mbi 100 aksidente rrugore për shkak të ngricave në rrugë, ndërsa në Holandë, bora shkaktoi 222 aksidente.
Autoritetet paralajmërojnë banorët për “Bishën nga Lindja”, siç e kanë cilësuar të ftohtin që pritet këtë javë, me borën që nuk do të ndalojë së paku për gjysmën e parë të shkurtit.