Kuriozitete Biznes me qumështin e devesë. Jo vetëm produkte konsumi, por edhe suvenire

Biznes me qumështin e devesë. Jo vetëm produkte konsumi, por edhe suvenire

Qumështi i devesë po shitet si superushqim në supermarketet amerikane e ato britanike, apo edhe “online” përmes faqeve si “Amazon”, e kërkesa për të sa vjen e shtohet.

Interesi është i madh si për qumështin e freskët, ashtu dhe për produkte që bëhen prej tij, përfshirë çokollatat, disa lloje djathtrash, akulloret dhe kremat e lëkurës. Nga ana tjetër, deri edhe kockat e deveve të ngordhura gjejnë përdorim, pasi kthehen në suvenire për turistët.

Hitesh Rathi në Indi, një investitor në këtë treg, thotë se biznesi i tij trevjeçar kërkon deri në 7.000 litra qumësht deveje në muaj.

“Tregu dhe kërkesa për qumështin e devesë e produkte të lidhura me të po rriten me hapa të shpejtë. Megjithatë, sfidat nuk janë të vogla, si kur flitet për ndërgjegjësimin mbi këto produkte, ashtu dhe për marketimin e linjës së mallrave tona”, tha Hitesh Rathi, biznes.

Ky lloj qumështi po shihet me kureshtje të shtuar në perëndim, por në Indinë me shumicë hinduiste, ku adhurohen lopët dhe qumështi i tyre lidhet si me nevojat ushqimore, ashtu edhe me besimin, ai i devesë shitet më me vështirësi.

Përpos kësaj, ai vjen më i yndyrshëm dhe pak më i kripur në shije, e jo të gjithë janë mësuar me të. Por, shenjat pozitive nuk mungojnë. Shpresat janë që një treg i tillë të rritet dhe komunitete tradicionale të kenë një nxitje ekonomike për të shtuar tufat e tyre të deveve, numri i të cilave po vjen në rënie.