Kryesore Biznesi i “të folurit” në Shqipëri

Biznesi i “të folurit” në Shqipëri

Si u nxit biznesi i logopedisë nga numri i lartë i diagnostikimeve me autizëm vitet e fundit…

Autizmi është njohur dhe ka nisur të trajtohet vonë në Shqipëri, vetëm në fillim të viteve 2000. Tani, në çdo brez fëmijësh që lindin, evidentohen 300 raste me çrregullime të spektrit autik.

Ky numër, sipas ekspertëve të fushës, duhet të jetë edhe më i madh, pasi, për shkak të mentalitetit, ka prindër që nuk pranojnë diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijës, apo e kanë të vështirë ta pranojnë faktin se fëmija i tyre është me autizëm.

Sipas një raporti nga Organizata World Population Review për vitin 2022, prevalenca që një fëmijë në Shqipëri të jetë i prekur nga spektri i autizmit për 10,000 banorë është 83.30. (1 në 125 banorë). Ndërsa një tjetër studim thotë se 1 në 36 fëmijë diagnostikohet me autizëm sipas CDC (Center for Disease Control and Prevention) vitin e shkuar.

Përhapja e autizmit ka sjellë sfida të reja, por edhe mundësi të reja për shërbime të specializuara shëndetësore.

Në mes të kësaj rritjeje të autizmit, një nga fushat në qendër të vëmendjes, është logopedia. Bizneset e logopedisë janë bërë një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për individët me spektër të autizmit.

Një nga arsyet kryesore pse përhapja e autizmit ka ndikuar në rritjen e bizneseve logopedike është marrëdhënia e ngushtë midis këtyre dy gjendjeve.

Individët me spektër të autizmit shpesh përballen me sfida në komunikim dhe zhvillimin e gjuhës, të cilat janë fusha thelbësore të trajtimit logopedik.

Si rezultat, kërkesa për shërbime logopedike për këtë popullsi është rritur ndjeshëm. Kjo ka sjellë rritje në kërkesën për shërbimet e tyre dhe në të njëjtën kohë u ka hapur rrugën bizneseve të reja logopedike që ofrojnë shërbime të specializuara për ta.

Si drejtim studimor, logopedia në Shqipëri ka rreth dy dekada që është pjesë e Universitetit Mjekësor, nga ku aktualisht diplomohen 50 studentë në vit, këto tre vitet e fundit, ndërsa kuotat e pranimit më parë kanë qenë rreth 20 në vit.

Në dekadën e fundit është gjithashtu pjesë e kurrikulës mësimore në Universitetin Aleksandër Xhuvani, në Elbasan, dhe në Universitetin Aleksandër Moisiu, Durrës. Ndryshe nga Tirana, në qytetet e tjera, numri i studentëve nuk tejkalon shifrën 10 në vit.

Një faktor tjetër që ka ndihmuar në rritjen e bizneseve logopedike është ndërgjegjësimi i rritur në shoqëri për rëndësinë e ndihmës dhe trajtimit të autizmit dhe problematikave të tjera të zhvillimit.

Edukimi dhe informimi i publikut për shkaqet, simptomat dhe trajtimet kanë ndikuar në rritjen e kërkesës për shërbime të specializuara si ato të ofruara nga logopedët.

Arjon Stambolliu, terapist dhe supervizor në Qendrën Rajonale për Autizmin thotë se fëmijët me autizëm në Shqipëri përbëjnë 25% të fëmijëve me problematika zhvillimi.

Ndërkohë raporti i gjinisë nuk ka ndryshuar, 1 vajzë dhe 4 apo 5 djem.

Z. Stambolliu shpjegon se ky çrregullim bëhet i dukshëm rreth moshës 2-vjeçare, me zhvillimin gjuhësor kur fëmija thotë disa fjalë, “E folura është edhe shqetësimi kryesor i prindërve kur vijnë në seancat e vlerësimit, ajo që i shtyn të shqetësohen”. Z. Stambolliu bën të ditur se në vendin tonë janë shtuar rastet, kjo edhe si pasojë e kritereve të diagnostikimit, por edhe e mënyrës së të jetuarit, nga ku nënvizon problemin e ekraneve te fëmijët e vegjël.

Mei Jovani, logopede në “CommuniCare” thotë se, diagnoza e çrregullimit të spektrit të autizmit, është shqetësim i pranishëm te çdo prind. “Frika që e shoqëron këtë diagnozë, ekziston.

Ajo që kam pasur në fokus për të zhvilluar si frymë gjatë bisedave me prindërit, fëmijët e të cilëve kanë këtë diagnozë, është t’i nxis të shohin përtej kufijve të frikës së diagnozës. Individët me Autizëm mund të kenë plot aftësi, talente, pika të forta zhvillimi, të cilat mund t’i aftësojnë dhe të jenë të pavarur në një të ardhme” – thotë ajo.

Kosto

Për herë të parë në Qendrën Shëndetësore nr. 10 është shtuar shërbimi i logopedisë për trajtimin e fëmijëve me çrregullime në komunikim, çrregullime konjitive etj.

Premtimi i Ministrisë së Shëndetësisë në korrik të vitit të shkuar ishte për shtimin e shërbimit të logopedisë në të 17 qendrat shëndetësore në Tiranë, por vetëm qendra nr.10 e ka funksionale këtë vit. Mungesa e shërbimit logopedik në sistemin publik shtyn prindërit drejt sektorit privat, të cilët duken se janë shtuar shumë vitet e fundit.

Nga ana tjetër, mundësitë jo të mira financiare i lënë shumë fëmijë pa trajtim logopedik, i cili është thelbësor në përmirësimin e të folurit.

Sipas profesionistëve të fushës, vendi ynë ballafaqohet me mungesë të logopedëve dhe kushteve jo të mira nëpër shkolla për trajtimin e fëmijëve me çrregullime të të folurit, e për pasojë, prindërit në pamundësi për t’i trajtuar fëmijët në institucionet publike, detyrohen të shkojnë në ato private, të cilat kushtojnë jo pak.

Sipas komunikimeve me disa qendra private të trajtimit logopedik, një seancë terapie kushton mesatarisht 15 mijë lekë. Trajtimet janë të ndryshme sipas problematikës së shfaqur te fëmijët dhe sipas asaj që profesionistët e quajnë “spektri”.

Nuk bëhet fjalë që shërimi të vijë në vetëm disa seanca, por duhet një rrugë e gjatë terapie e vazhdueshme, çka e bën shumë të vështirë financiarisht për shumë individë. Dhe, nga ana tjetër, është një situatë që për shumë biznese në këtë fushë, duket “mundësi e artë”, gjë që mbështet edhe faktin që numri i tyre është i lartë vitet e fundit.

Problematika

Mjekët logopedë konstatojnë se, hapat e parë në biznesin e logopedisë apo të terapive të tjera që lidhen me zhvillimin e fëmijëve, kanë qenë të vështira për shkak të mungesës së informacionit mbi këtë fushë.

“‘Lufta’ fillestare ka qenë për të bërë të njohur nevojën për këtë shërbim, tek individët, prindërit, profesionistët e shëndetësisë e më tej. Informimi i individëve, prindërve rreth çrregullimeve të komunikimit, si dhe shuarja e stigmës dhe presionit të opinionit të shoqërisë kanë qenë fenomene shoqëruese gjatë viteve.

Duhet thënë se situata sot është më ndryshe, prindërit janë shumë herë më të hapur për të kërkuar ndihmë kur fëmija i tyre ka nevojë dhe nuk ngurrojnë, por ende ka punë për të bërë.

Në fokus të punës së një logopedi janë të rritur dhe fëmijë, por rastet më të shpeshta janë ndërhyrja logopedike te fëmijët”- thotë mjekja logopede Mei Jovani, e cila shton se një tjetër sfidë është mungesa e stafit të kualifikuar.

“Jo pak herë na është dashur të trajnojmë individë, duke nisur nga pika 0 për t’i bërë më pas pjesë të stafit të brendshëm, por koha që ky proces kërkon është problem i madh për ne”, – thotë znj. Jovani.

Sipas mjekes logopede Aurora Koka, nga Qendra Tempus, problematika më e madhe në tregun shqiptar është informaliteti.

“Mungesa e një institucioni mbikëqyrës dhe rregullator mbi këtë profesion është pengesë për rritjen e standardit të logopedisë, pasi po vihet re tendencë e theksuar e hapjes së klasave logopedike nga studentë që nuk kanë punuar më parë në institucione të tjera të mirorganizuara e të mbikëqyrura në mënyrë që të fitojnë përvojën e duhur për ofrimin e terapisë logopedike”, – thotë mjekja.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Qendrës Tiss, Anisa Dizdari, pohon se, sfidat ekonomike janë të mëdha, sepse shërbimet që ofrohen kanë kosto ekonomike dhe shumë prindër nuk kanë mundësi t’i përballojnë.

“Nga njëra ana duhet të mendonim të luftonim për kauzën dhe të edukonim sa më shumë prindër që të trajtonin fëmijët e tyre, t’i mbështesnim ata në çdo problem me të cilët përballeshin (informacion jo i saktë rreth autizmit, paragjykime, probleme sociale etj.), ndërkohë, nga ana tjetër, duhet të përballonim kostot ekonomike që kërkonte menaxhimi i një institucioni të mirëfilltë të shëndetit mendor.

Mbështetje ekonomike, nga ana institucionale shtetërore, nuk kishim dhe kështu u detyruam të lobonim fort në institucione private për gjenerim fondesh, në mënyrë që të rrisnim cilësinë e shërbimeve, por edhe të mbështesnim ekonomikisht prindër që nuk kishin mundësi të paguanin shërbimin për fëmijët e tyre”, – thotë mjekja.

Znj. Dizadari shton se, një tjetër sfidë është largimi i profesionistëve jashtë vendit.

“I kushtojmë rëndësi formimit të vazhdueshëm profesional të stafit, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimit. Por, edhe pasi ne investojmë shumë nga ana profesionale, profesionistët e rinj zgjedhin të largohen për të punuar jashtë vendit.

Kjo kthehet në sfidë, sepse ne duhet të rekrutojmë dhe aftësojmë vazhdimisht profesionistë të rinj. Sot që flasim, sfidat ekonomike janë edhe më të mëdha. Rritjet e çmimeve na e kanë vështirësuar shumë punën.

Për të mbajtur një institucion në këmbë, ka kosto të jashtëzakonshme, si pagesat e stafit, pagesat e ekspertëve të vendit dhe të huaj, taksat, tatimet, qiratë shumë të larta, blerja e vazhdueshme e materialeve didaktike cilësore dhe profesionale, trajnime të vazhdueshme dhe kualifikime të stafit etj.

Qendrat joqeveritare dhe sociale nuk kanë asnjë mbështetje ekonomike nga shteti dhe çdo kosto duhet ta mbulojnë vetë” – përfundon mjekja.

Logopedia Sibora Selimi thotë se, problematika më e madhe është stigma që ekziston dhe mungesa e informacionit.

“Në hapat tanë të parë kishte shumë pak informacion për Logopedinë, problematikat që ajo trajton apo mënyrën si funksionon terapia! Na është dashur shumë punë dhe kohë që të shkojmë afër prindërve, t’u japim përgjigje gjithë pyetjeve të tyre dhe të krijojmë besim.

Një tjetër sfidë e madhe është mungesa e stafit të kualifikuar! Jo pak herë na është dashur të trajnojmë individë, duke nisur nga pika 0 për t’i bërë pjesë të stafit të brendshëm, por koha që kërkon ky proces është problem i madh për ne”- përfundon ajo.

Shkaqet

Qëndrimi i fëmijëve që në moshë të hershme për një kohë të gjatë para ekraneve, telefonave, TV, të pasurit të një jete më pak sociale, ku fëmijët nuk kanë shumë mundësi për të qenë në kontakt me fëmijë të tjerë, apo të frekuentojnë mjedise ku ka fëmijë, stresi, ndotja mjedisore, ushqimet dhe sigurisht edhe faktori i gjenit, sipas mjekësve terapeutistë janë të gjitha shkaqe që kanë çuar në një rritje të rasteve në vendin tonë. Autizmi është një gjendje neurologjike dhe zhvillimore e lidhur me zhvillimin e trurit dhe ndikon në mënyrën se si individët perceptojnë dhe shoqërohen me të tjerët.

Kostot

Pagesa për një seancë varion, nga 1000 deri në 3500 lekë. Mesatarja e një seance është 2000 lekë dhe ka ardhur në rritje progresive në varësi të rritjes së kostove dhe rritjes së pagave të stafit. Mendoj se 2000-2500 lekë është në nivelin e duhur për të dyja palët (terapist-pacient) por sigurisht mbetet kosto shumë e lartë për komunitetin, sepse e dimë sa e shtrenjtë është jetesa këtu dhe sa e ulët paga. Për drejtuesit e një qendre logopedie, kostoja më e lartë është pagesa e terapistëve dhe trajnimi i vazhdueshëm i tyre./ Marrë me shkurtime nga Monitor