Kulturë “Biznesmenët amerikanë në krahasim me ata europianë, preferohen në Shqipëri për këtë...

“Biznesmenët amerikanë në krahasim me ata europianë, preferohen në Shqipëri për këtë arsye…” – Një rrëfim i rrallë i Faik Konicës

Faik Konica, ambasadori i parë i Shqipërisë në Uashington

Nga Aurenc Bebja*, Francë

“The Ëashington Post” ka botuar, të enjten e 15 korrikut 1926, në ballinë, një rrëfim të rrallë dhe intim të Faik Konicës, asokohe i porsaemëruar ambasador i Shqipërisë në SH.B.A, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Faik Konica, i cili do të jetë ministri i parë i Shqipërisë në këtë vend pas shumë vitesh. Selia e tij ndodhet në hotelin Willard. – Burimi : Harris & Ewing – The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, f.24

Prerja e flokëve 2.000 vjeçare, thotë i dërguari shqiptar

Stil i modës së vjetër në vendin e tij, Ministri i Ri raporton – Nuk do të hyjë në shoqëri këtu – Ka prirje për shkrimin e dramave.

Prerja e flokëve është modë e vjetër në Shqipëri, deklaroi Faik Konica, ministër I porsaemëruar në Shtetet e Bashkuara nga ai vend, pasi mbërriti dje në hotelin Ëillard.

Shkrimtari–diplomat shpjegoi se gratë në vendin e tij i presin flokët që prej 2.000 vitesh.

Z. Konica nuk shqetësohet për jetën shoqërore dhe nuk ka ndërmend të luajë këtu “lojën sociale”. Ai refuzoi emërimet diplomatike në Londër dhe Romë për shkak të mospëlqimit të tij për shoqërinë. Teatri, pranoi ai, është hobi i tij. Ndërsa vetë dramaturg, zoti Konica i konsideron esetë e tij veprën më të mirë letrare. Megjithatë, ai ka shkruar më shumë se një partiturë dramash. Z. Konica mbart idetë më liberale dhe më të avancuara mbi skenografinë.

Në “The Whisker”, prodhuar prej tij në Marlboro, Mass., tre vjet më parë, ministri nuk kishte as skenë dhe as dekor, siç konceptohet përgjithësisht në teatër.

Audienca e tij gjithashtu nuk qëndroi ulur gjatë performancës. Ajo i ndoqi lojtarët (aktorët) në një zonë të hapur. Ndjekja e kastit u jep spektatorëve një ndjenjë pjesëmarrjeje në komplotin (intrigën) që ai shpjegoi.

Z. Konica planifikon të vazhdojë të shkruajë gjatë shërbimit diplomatik në Uashington. Aktualisht është duke punuar për përkthimin e “Tëelfth Night – Nata e Dymbëdhjetë” në gjuhën e tij amtare. Loja e fjalëve të Shekspirit (përkthimi – përshtatja) e bën të vështirë punën e tij, rrëfeu zoti Konica.

George Bernard Shaw është dramaturgu i preferuar i ministrit, dhe ai numëron Mencken, Dreiser, Anderson dhe Cabell ndër romancierët e tij të preferuar. Gjatë pesë viteve të qëndrimit në Londër, zoti Konica nuk humbi kurrë një shfaqje shekspiriane të prodhuar atje.

I fundit në familjen diplomatike është një beqar, 51 vjeç. Zoti Konica nuk kërcen. Në shpjegim, ai shprehu frikën se ishte “shumë i trashë”. Ai është me trup masiv, me shpatulla të gjera.

Ministri pranoi një admirim të madh për bukurinë e grave amerikane. “Ka një përqindje më të madhe të grave të bukura në Amerikë,” pohoi ai, “se në çdo qytet të huaj në botë, me përjashtim të Vjenës”.

Ministri do t’i prezantohet zyrtarisht Sekretarit të Shtetit Kellogg brenda një ose dy ditëve në vijim. Z. Konica ka lindur në Shqipërinë e Jugut në vitin 1876 dhe ka studiuar në Francë dhe në Universitetin e Harvardit. Nga viti 1912 deri më 1914 ai ishte delegat në Londër, Romë dhe Vjenë, duke kërkuar pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë luftës botërore ai u mbajt i burgosur në qytetin e fundit. Në vitin 1923 z. Konica u zgjodh deputet në asamblenë kushtetuese të Shqipërisë.

Biznesmenët amerikanë janë të kërkuar në Shqipëri për të zhvilluar vendin industrialisht, tha Z. Konica, “Biznesmenëve europianë nuk u besohet”, deklaron ai, “sepse nuk mund të dihet kurrë kur ata janë të nxitur nga motive politike në aktivitetet e tyre të biznesit. Amerikanët janë të preferuar sepse shqiptarët e dinë që ata bëjnë biznes vetëm për hir të biznesit.”

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania