Ka disa histori në jetën e njeriut që lindin nga hiçi. Nuk kanë lidhje me profesionin apo jetën që bën dhe nuk kanë lidhje as me planet me të ardhmen. Thjesht ndodhin. Kaq. Kështu u ndodhi edhe legjendave të futbollit vlonjat, Rrapo Taho, Vasil Ruci, etj…
Të përkushtuar në përditshmërinë e tyre befas “mbin” një italian enigmatik, i paqethur, i parruar, me njohuri sipërfaqësore për legjendat e futbollit të Vlorës dhe nis të miqësohet me ta.
Shumë, deri në atë pikë sa kërcasin drekat së bashku, ndonjë gotë raki apo verë dhe plazh bashkë.
“Jam shkrimtar italian, po bëj një studim për Kontin e Monte Kristos. Por më pëlqen futbolli dhe kam dëgjuar shumë për ju, për Sokol Kushtën. Jeni të mëdhenj shumë. Do të shkruaj një ditë për ju…”, u pat thënë afro tetë muaj më parë.
Më pas takime, futboll së bashku, plazh, dreka dhe një udhëtim drejt Greqisë që nuk u realizua kurrë. Bëhet fjalë për ish-arbitrin italian Davide Pekoreli që inskenoi vrasjen e tij në malet e Pukës.
Bash ai, italiani i çuditshëm që e nisi karrierën si arbitër u bë biznesmen produktesh kozmetike, falimentoi, erdhi në Shqipëri dhe i vuri flakën makinës dhe u zhduk.
Ah, jo, para se të digjte makinën gërmoi kushedi se në cilën varrezë për eshtra njeriu, i futi në makinë, i vuri flakën dhe mendoi që e hoqi qafe “Davide Pekorelin” e dikurshëm dhe u transformua në Kristiano… Kristiano pra që u fut çuditshëm në jetën e ish-futbollistëve të shquar vlonjatë dhe në fund i tronditi edhe ata vetë.
“Çudi e madhe, thotë Vasil Ruci për “Panorama Sport”, na u ngjit nga hiçi. Nuk e morëm vesh se nga doli, thjesht rrinte me ne, hante me ne, luante futboll me ne dhe bënte plazh me ne. I çuditshëm për besë…”, thotë legjenda e Flamurtarit dhe qesh me zë të lartë.
Vasil a e njihnit Davide Pekorelin?
Po ku di unë o të keqen, ai ishte një njeri i çuditshëm. Çfarë të them unë tani?! Kjo botë është e çuditshme, nuk dimë kush hyn dhe kush del dhe kush na afrohet…
Sa kohë kishte në Vlorë ai?
Po kishte afro 8 muaj në mos gaboj. Nuk ia kam numëruar ditët, por na u ngjit shumë. Shkonim të luanim futboll, ai nga pas. Madje edhe kur hanim ndonjë gjë së bashku, nuk na shqitej. Po nuk ndiheshim sepse ishte edhe gazmor si tip.
I paguanit ju drekat apo ai?
Jo, mo ç’paguante ai. Unë nuk jam ulur me të shpesh mo jo, por ndonjë miku ynë rrinte më shpesh. Jo, mo ku paguante ai. Madje më thanë që të jepte ndonjë drekë me qepë e domate dhe pastaj të “rruante” se donte 50 dreka të tjera mbrapsht. Po ne e kuptuam që ishte i tillë…(qesh me zë të lartë)./Panorama Sport