Problemet globale në teknologjinë e informacionit kanë prekur edhe aeroportin e Rinasit. Në një njoftim theksohet se sistemi aeroportit nuk ka probleme, por vonesa mund të ketë në mbërritje.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) konfirmon se sistemet e tij kanë mbetur plotësisht funksionale dhe të paprekura nga kriza e fundit e sistemeve kompjuterike në mbarë botën.
Për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet në TIA.
Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës.
TIA mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithë pasagjerëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën”, thuhet në njoftimin e TIA-s.
Ndërkohë, një ndër linjat me më shumë fluturime nga aeroporti i Rinasit, Wizz Air, nga zyra në Qipro ka lëshuar një njoftim duke thënë se kompania ka probleme teknike për shkak të ndërprerjes globale të sistemeve teknologjike të palëve të treta.
“Ndërprerja po prek shumë shërbime, duke përfshirë faqen e internetit të Wizz Air, aplikacionin celular, sistemin e rezervimit, check-in në internet dhe qendrat e thirrjeve. Klientët e Wizz Air mund të pësojnë ndërprerje në të gjithë rrjetin me uebsajtin dhe shërbimet e aplikacioneve celulare të padisponueshme përkohësisht”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se të gjithë pasagjerët të cilët nuk arrijnë të bëjnë check-in online mund ta bëjnë atë falas në aeroport.