Nga Fjorda Llukmani
Profesioni i gazetarisë të jep mundësi të udhëtosh, shpeshherë edhe jashtë vendit për intervista apo reportazhe të ndryshme. Blendi Fevziu ka ditur t’i mbajë mirë ekuilibrat midis të dyjave.
Krah punës në emisionin “Opinion”, të cilin e drejton prej 20 vjetësh, gjen kohën për t’u arratisur në vende të pazakonta. Duke qenë gazetar i famshëm e më i pëlqyer në Shqipëri, më ndodh shpesh t’i hedh një sy Instagram-it të tij vetëm për të parë ku ishte së fundmi.
Blendin e shikoja gjatë verës në brigjet e Dhërmiut, tek humbiste në zhytje me një GoPro në dorë për të filmuar relievin e panjohur nën ujë. Dukej qartë që e donte shumë detin, pasi kalonte orë të tëra duke notuar. Megjithatë, listën e udhëtimeve të Blendit e kryesojnë vendet ekzotike e të panjohura për ne. Nëse nuk do të ishte gazetari më i famshëm në Shqipëri, do të ishte qytetar i të gjithë botës. Në këtë intervistë ekskluzive për Albawings, ai na tregon destinacionet e preferuara që ka vizituar, cilat janë vendet më të çuditshme që ka takuar shqiptarë dhe se ku do t’i kalojë festat e fundvitit. Njihuni me anën “bredharake” të Blendi Fevziut, komplet ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim, me kostum e kollare në panele televizive.
Është kënaqësi për ne t’ju kemi në faqet e revistës së bordit. Ju jeni një figurë e njohur e gazetarisë, shkrimtar, publicist, figurë televizive një opinion maker që nuk ka nevojë për shumë prezantim. Por përtej profesionit dhe suksesit që keni , dëshirojmë të njohim e të ndajmë eksperiencat e tua në udhëtimet e shumta që ke bërë. Natyrshëm më vjen një pyetje a keni me faqe bosh në pasaportë? Sa të tilla ke ndërruar?
Të fundit sapo e ndërrova. Zgjati 4 vjet dhe s’kishte më asnjë cep bosh në pasaportë. Por shumë faqe zinin vulat që vendoste policia kufitare në Rinas. Tani është më kollaj, kjo procedurë është hequr.
Një nga shqiptarët me më shume vula në pasaportë?
Nuk e di këtë. Me siguri ka shumë shqiptarë që udhëtojnë shumë. Sidomos vitet e fundit. Kudo që kam qenë, edhe në vendet më të largëta takoj shqiptarë ose më shkruajnë që kanë qenë në ato vende.
E mbani mend udhëtimin tuaj të parë?
Padyshim. Ishte me Alitalian në linjën Tiranë-Romë. Isha 21 vjeç. Fluturimi operohej për llogari të Alitalias nga një linjë që quhej Avianova. Më ka ngelur në mend emri i avionit. Ishte një ATR 50 në mos gaboj. Që momentin e parë duket se vendosa një raport shumë të mirë me avionin. Dhe e kam ende. Avionët, linjat ajrore dhe destinacionet mbeten një pasion që më merr kohë. Lexoj shumë për të rejat, ndryshimet, destinacionet. Nëse nuk do të merresha me gazetari me siguri do të drejtoja një agjenci udhëtimesh.
Keni udhëtuar më shumë për shkak të punës apo për qejf?
Në udhëtimin e parë ka qenë një miksim i të dyjave. Që nga ajo kohë udhëtoj shpesh, për punë apo për qejf. Por zakonisht udhëtoj në destinacione që i zgjedh vetë, që nuk janë destinacionet tipike të një pushuesi dhe ku ndihesh shumë më tepër udhëtar sesa turist!
Kush janë vendet më të habitshme, ku keni gjetur shqiptarë dhe a ka raste ku dikush ju përshëndet vetëm sepse ju ka parë në televizor?
Ndodh pothuajse kudo. Në fillim çuditesha kur gjeja shqiptarë në qytete të largëta të SHBA, Hjuston, San Antonio, Las Vegas. Më pas e kuptova që kjo ishte fare normale. Jam çuditur kur një komunitet shqiptarësh na dolën në Johanesburg të Afrikës së Jugut. Më pas më ka qëlluar të takoj thuajse kudo. Rastësisht në rrugë ose që më shkruajnë në Instagram dhe Facebook kur shohin fotot. Në Tokio, Në Meksikë, Në Myanmar, në Kenia, Kore apo Mongoli.
A mban një ditar apo shënime për vendet që vizitoni?
Kam shkruar reportazhe për shumicën e tyre. Kryesisht destinacionet jashtë evropiane që janë edhe më pak të njohura për ne. Një pjesë e madhe janë botuar, madje disa prej tyre mund t’jua jap për numrat e ardhshëm të revistës suaj bashkë me fotot. Besoj se kur të mbaroj listën e destinacioneve që kam vendosur të vizitoj, do të shkruaj një libër për udhëtimet dhe udhëtimin në përgjithësi. Gjithnjë nëse gjithçka do të shkojë normalisht
Mendoni se do të bëni një libër një ditë për udhëtimet e tua?
Po, po, do ta bëj me siguri. Madje kam menduar edhe titullin ose fijen që do të lidhë vendet që s’kanë edhe shumë lidhje me njeri-tjetrin.
Do të dëshiroje të jetoje diku tjetër përveç Shqipërisë?
Nëse një ditë do të jetoja jashtë Shqipërisë do ta bëja vetëm në Nju Jork. Nju Jorku ka qenë dashuri me shikim të parë. Isha 25 vjeç. Nuk do ta harroj kurrë se si kur avioni i Balkanair nisi të zbresë mbi Long Island u magjepsa nga ai vend. Ndërsa kur nisa të eci në rrugët e qytetit nisa të kuptoj përse Amerika është ëndërr për qindra miliona njerëz në botë.
E shohim që të pëlqen më shumë të udhëtosh nëpër botë, por të pëlqen mesa duket edhe zhytja. Më përshkruaj zhytjen më të veçantë nën ujë.
Para thuajse një viti e gjysmë në Turk and Caicos në Karaibe. Ishte një eksperiencë e rrallë. Ndër të tjera, Turk and Caicos është një ndër ishujt dhe detet më të bukura që kam parë në botë.
Të pëlqejnë sportet e aventurës? Do hidheshe nga avioni me parashutë?
Nuk e besoj. Jam më komod brenda në avion.
A të pëlqen t’i marrësh me vete shokët e udhëtimit apo t’i gjesh udhëve ata?
Zakonisht i marr me vete. Në shumicën e rasteve. Baton Haxhiu është një superudhëtar. Do të thosha një bashkudhëtar fantastik. Por qëllon që udhëtoj edhe vetëm. Në çdo rast mundohem të njoh sa më shumë njerëz dhe të flas me personat lokalë. P.sh. shoferët e taksive janë ndër bashkëbiseduesit më interesantë. Nga ta mëson çdo gjë, që nga restorantet e deri te kush bën korrupsion në atë vend nga politikanët.
Je më shumë i prirur të bësh turizëm luksi apo aventure?
Bëj pushime. Pjesa tjetër janë udhëtime në vende jo shumë turistike. Atje s’para ka luks.
Ke fjetur ndonjëherë në çadër kampingu?
Po, në Afrikë shumica e hotele në Savanë janë të tilla.
Cili është vendi që do të riktheheshe vazhdimisht?
Ka shumë. SHBA, Francë, Spanjë, Stamboll kthehem shpesh. Pa asnjë dyshim Afrika është magjepse. Do të doja ta vizitoja të gjithën. Po ashtu Singapori dhe Hong Kongu. Ose Shangai. Janë shumë vërtet.
Sa ka qenë periudha më e gjatë që ke qëndruar larg shtëpisë?
Për hir të emisionit udhëtimet e mia janë të shkurtra. Nuk humbas dot shumë kohë. Udhëtoj midis 4 deri 7 ditë maksimumi. Por para 3 vjetësh pata një udhëtim në Vietnam, Kamboxhia, Tailandë dhe Konë që më zgjati thuajse 10 ditë. Ky besoj.
Ke humbur sende nëpër udhëtime?
Asgjë të rëndësishme!
Ju pëlqen të udhëtoni vetëm?
Po, e bëj shpesh këtë. Po zakonisht kam miq në shumicën e vendeve ku shkoj.
Cili është destinacioni juaj i preferuar në Shqipëri?
Jugu. Dhërmiu. Po jo ky i sotmi, i mbushur me vanitet dhe njerëz që kanë frikë nga uji. Ai fshatit të vjetër lart dhe i njerëzve të pasionuar pas detit.
Ku do t’i kaloni Krishtlindjet dhe Vitin e Ri?
Nuk e di ende. Por besoj në Dhjetor do të jem në një udhëtim në Panama, Kolumbi dhe Ekuador. Nëse nuk ka ndonjë ndryshim plani nga çështjet e punës.
Sipas jush, a duhet të jesh i pasur për të parë botën?
Jo, s’ka asnjë lidhje. Udhëtimi më shumë se mundësi financiare është pasion. Kam njohur një djalë që e kam ftuar edhe në emision. Udhëtonte me 50 euro në 10 shtete. I dhurova live 150 Euro duke e uruar për stilin e udhëtimit. Pas ca muajsh postoi në Facebook një foto ku thoshte se me ato para kishte vizituar 16 shtete të Evropës. Po ashtu, pak kohë më parë pashë në ABC një reportazh për një djalë nga Argjentina që kishte vizituar 26 shtete para se të mbërrinte në Shqipëri. Dhe udhëtonte me biçikletë. Jo, pasioni për udhëtimin s’ka lidhje me të ardhurat. Po ti kesh ato të mira, udhëtimi bëhet shumë më i lehtë. Por vetëm kaq.
Me që di të bësh shumë gjera, cili profesion do të pëlqente të bënit në avion; stjuard apo pilot?
Nëse ka një profesion që kam zili është ai i stjuardit. I kam adhuruar gjithnjë stjuardesat dhe stjuardët dhe më duken njerëzit më me fat. E di që është një profesion super i lodhshëm, e di që shpeshherë gjendesh në mes të situatave të acaruara apo konfliktuale; e di që duhet të merresh me lloj-lloj njerëzish, por e di gjithashtu që ata kanë fatin ta shohin diellin dhe hënën më afër se sa gjithë profesionet e tjera dhe ky është fat. Pilot nuk do të bëhesha. Më duket profesion shumë i vështirë.
Çfarë aplikacionesh ke shkarkuar në telefon që i përdor për udhëtime?
Hahaha. Të gjitha. Kam tre foldera dhe mbi 70 aplikacione. Edhe kur fluturoj e di po aq mirë sa piloti se ku po fluturojmë, sa lart jemi dhe sa është shpejtësia e erës.
Ke humbur ndonjëherë rrugën?
Rrallë.
Valixhen e bën gati vetë apo me ndihmën e gruas?
Jo, jo, gjithnjë vetë. Dhe e bëj me shumë kënaqësi sepse askush më mirë se sa unë s’e di se çfarë më duhet për udhëtim.
A keni një vend të preferuar si familje?
Po, disa prej tyre!/Albawings