Blendi Fevziu ka folur për humbjen e thellë të opozitës në zgjedhjet e 14 majit, të cilën e cilësoi si jashtë çdo pritshmërie.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Fevziu deklaroi se ka një numër arsyesh që sollën disfatën e opozitës, duke nisur nga boshllëku që la bojkoti i zgjedhjeve të vitit 2019, fushata e gabuar, etj. Lidhur me pretendimin për blerje votash, ai deklaroi se nuk ka kuptim që opozita të artikulojë këtë pretendim prej një dekade, sepse kjo do t’i bënte të dukeshin “të paaftë”.
“Rezultati ishte përtej pritshmërive. Pritej një rezultat i ngjashëm me vitin 2015, pra të merrte koalicioni “Bashkë Fitojmë” rreth 10-15 bashki.
Argumenti i parë, ishte argumenti i braktisjes së zgjedhjeve, këtë hapësirë PD do ta vuajë edhe një dekadë minimumi. Në zgjedhjet lokale, nuk është kollaj të mundësh kryetarin në detyrë. Në Lezhë përshembull, PS nuk do të fitonte dot nëse kryetari do të ishte i PD. Ata e braktisën Lezhën. Edhe rasti i Tropojës, nëse nuk do ta braktiste PD në 2019, fitorja e PS do të ishte shumë e vështirë.
E dyta, përçarja brenda PD-së ishte e gabuar, e pamenduar mirë, ndoshta një zgjidhje elektorale për të kuptuar se kush kishte mazhorancën brenda PD, por në aspektin elektoral ishte një disastër. Versioni i tretë, fushata ishte e gabuar. Në vend të fokusohej te kandidati lokal, që tentuat të bëjnë diçka, si Këlliçi, por në dy javët e dyta u sfumuan, nga përqendrimi i fushatës në fushatë politike. Këlliçi ishte më tërheqës në dy javët e para.
E katërta, përqëndrimi te një fushatë negativiste. PD ka përmbysur dhe fituar kur ka bërë fushatë pozitive. Zgjedhjet nuk janë refuzim, por janë aprovim. Ti zgjedh t’i japësh okej një forcë politike dhe jo të largosh një forcë pa e ditur se kush vjen”, tha Fevziu.
I peytur nga Ylli Rakipi nëse rezultati i zgjedhjeve është i ndikuar nga blerja e votave dhe përdorimi i makinerisë shtetërore, Fevziu tha se nuk mund të përdoret blerja e votës si justifikim për një dekadë, sepse kjo do të thotë që lidershipi i opozitës është i paaftë.
“Zgjedhjet patën probleme të barazisë. Nuk kishin vulën, siglën, financimin, u përçanë, nuk ishte emri i Berishës në koalicion. U fol për rritje rrogash në mes të fushatës nga qeveria që nuk është e ndershme. U la të kuptohej që nuk do të mbështeten kryetarët e bashkive që vijnë nga opozita. Por këto gjëra diheshin edhe më parë dhe opozita thoshte se do të fitonte.
Makineria shtetërore në puna ka qenë. Blerja e votës? Nuk e di. Këtë e thua një herë, dy herë, tre herë, por nuk mund të shtysh një dekadë me këtë. Ose je i paaftë pastaj dhe mos dil në zgjedhje. Blerja e votës nuk ndodhi të dielën mbasdite, ajo dihej. Një gjë edhe kur është e vërtetë, bëhet e pabesueshme kur thuhet kaq herë. Një forcë politike nuk vjen dot në pushtet nëse nuk fiton Tiranën. Në Tiranë është diferenca 60 mijë vota”, deklaroi Fevziu.
Blendi Fevziu thotë se Sali Berisha nuk mund të jetë një zgjidhje për opozitën në vitin 2025, kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Fevziu deklaroi se Berisha nuk duhet të largohet në këto momente sepse kjo do ta përçante akoma më tej opozitën, por shtoi se ai nuk mund të udhëheqë opozitën në zgjedhjet e vitit 2025.
Fevziu deklaroi se Berisha mund të tërhieqet dhe të mbajë një rol simboli si president nderi.
“Mendoj se zoti Berisha, për momentin nuk mund të ketë zgjidhje në PD me largimin e tij. Mendoj që Berisha për zgjedhjet e 2025, duhet të luajë rolin e kryetarit të nderit, ose babait të PD por pa influence dhe duhet të hapë garë për të zgjedhur një të ri. PD ka nevojë për një kryetar te të dyzetat.
PD duhet të ulet në tavolinë dhe të pyesin veten: Çfarë ju ka ndodhur. Nuk ka nevojë për kamera. E dyta, PD duhet të bëjë një sondazh të thellë te elektorati i saj për të kuptuar pse nuk kanë dalë votuesit e saj. Bëj një sondazh, për arsyet e kësaj.
Berisha nuk mund të dalë dhe të drejtojë koalicionin e opozitës në vitin 2025. Ai duhet të jetë president nderi. Duhet hapje, zgjerim, një figurë e re”, deklaroi Fevziu.