Ekonomi Blerja e shtëpive për 1 euro në Itali, tani më e lehtë...

Blerja e shtëpive për 1 euro në Itali, tani më e lehtë se asnjëherë

Qyteti italian i Laurenzanas, i vendosur në rajonin Basilicata të Italisë Jugore, e ka veçuar veten nga vendet e tjera italiane të cilat nga shpopullimi kanë hedhur në treg një numër shtëpish të braktisura për vetëm një euro, duke zbutur disa nga rregullat për skemën e saj, e cila filloi muajin e kaluar.

Ndërsa rregulloret mund të ndryshojnë pak në varësi të qytetit, skema të tilla zakonisht kërkojnë nga blerësit të dorëzojnë një garanci depozite, zakonisht midis 2,000 euro dhe 5,000 euro, e cila iu kthehet mbrapsht kur të përfundojë puna në pronën e tyre.

Sidoqoftë, ata që blejnë një nga shtëpitë e braktisura në këtë qytet italian nuk do të duhet të deklarojnë një depozitë kur të nënshkruajnë.

“Ne duam t’i ndihmojmë të sapoardhurit të blejnë shtëpinë e ëndrrave të tyre pa e bërë të vështirë për ata që të ndjekin procedurat e lodhshme dhe kërkesat e shtrënguara,” shpjegon kryetari i bashkisë Michele Ungaro për CNN.

Megjithatë ata duhet të rinojnë shtëpitë, dhe puna duhet të nisë jo më shumë se tre muaj pas blerjes dhe duhet të përfundojë brenda tre vjetësh.

Blerësve u kërkohet gjithashtu të paraqesin një plan të hollësishëm të rimodelimit përpara se të merret në konsideratë oferta e tyre.

Në fakt, Ungaro rekomandon që ata që janë të interesuar të fillojnë të punojnë në një propozim para se të bien në kontakt me ekipin e tij.

“Ne jemi të mbytur me emaile që thonë vetëm: Unë dua të blej një shtëpi për një euro’, pa ndonjë detaj të mëtejshëm dhe kështu nuk do të arrijmë askund. Synimet janë thelbësore. Do të ishte një ndihmë e madhe në përshpejtimin e procesit nëse blerësit e interesuar bien menjëherë në kontakt me një plan se çfarë ata synojnë të bëjnë me pronën e tyre të re dh sa para planifikojnë të investojnë në stilin e ri”, shpjegon ai.

Shtëpitë në dispozicion variojnë nga 40 në 150 metra katrorë dhe megjithëse blerësit e ardhshëm do të pajisen me foto të shtëpisë, ata do të duhet të vizitojnë vetë pronën në mënyrë që të zyrtarizojnë shitjen.

Meqënëse shumë kufizime të udhëtimit janë ende në fuqi për shkak të pandemisë dhe pjesë të Italisë janë nën bllokim rajonal, nuk ka gjasa që ndonjë shitje të përpunohet brenda disa muajve të ardhshëm. Sidoqoftë, Ungaro dëshiron ta bëjë skemën sa më tërheqëse të jetë e mundur në mënyrë që të joshë të sapoardhurit në qytet pasi kufijtë të jenë rihapur.

Aktualisht, ka afërsisht 10 shtëpi të vjetra në qendrën historike në treg për një euro. Edhe pse ato u braktisën dekada më parë nga familjet vendase që migruan në kërkim të një të ardhme më të ndritur, kryetari i bashkisë thotë se janë akoma në gjendje të mirë.

Ndërkohë, 40 ndërtesa të tjera të zbrazëta që kanë nevojë për mirëmbajtje kërkojnë gjithashtu pronarë të rinj t’i rregullojnë ato.