Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha pritet të paraqitet ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pas vendimit të Apelit të GJKKO për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj pranë OPGJ-së.
Nga ana tjetër strukturat e Partisë Demokratike kanë lajmëruar se do të zhvillojnë një protestë para Prokurorisë së Posaçme në momentin që Berisha do të mbërrijë në SPAK.
Lidhur me këtë situatë, godina e këtij institucioni është rrethuar që në orët e para të mëngjesit të së hënës nga forcat e policisë.
Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të muajit.
Pavarësisht se kryedemokrati ka thënë se do të paraqitet në SPAK, vendimin e dhënë nga Apeli i GJKKO-së e konsideron antikushtetues e politik dhe shprehet se do e dërgojë në Strasburg.
“Vendimin do ta respektoj, sepse çështjen tani, siç dihet, është në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Këtë rast do ta çojmë atje t’i shtohet dosjes”, ka deklaruar Berisha.