Kosova Blinken reagon sërish: Kosova dhe Serbia të ulin menjëherë tensionet

Blinken reagon sërish: Kosova dhe Serbia të ulin menjëherë tensionet

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u bëri thirrje të enjten Kosovës dhe Serbisë të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve, duke paralajmëruar se situata aktuale pengon proceset e integrimit euroatlantik të të dyja vendeve.

Në një konferencë pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Oslo, Sekretari Blinken tha se “shumë aleatë shprehën shqetësimin për tensionet në veri të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë morën detyrën në zonat me shumicë serbe të Kosovës veriore pas zgjedhjeve të prillit në të cilat serbët refuzuan të merrnin pjesë”.

Shtetet e Bashkuara thanë gjatë javës se Kosova do të përballet me pasoja për shkak të veprimeve të saj dhe refuzimit të këshillave amerikane kundër veprimeve në veri. Ato i bënë thirrje Serbisë të ulë shkallën e gatishmërisë ushtarake dhe t’u bëjë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme.

NATO-ja vendosi të rrisë praninë ushtarake në Kosovë pasi 30 paqeruajtës të KFOR-it dhe 52 protestues serbë u plagosën në përplasjet e së hënës në veri të Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca është e gatshme të dërgojë më shumë trupa në Kosovë për të parandaluar dhunën duke theksuar se tashmë 700 trupat e parë janë në rrugë e sipër.

“Por sigurisht kjo nuk do të thotë se ne po heqim dorë nga një zgjidhje politike. Mesazhi ynë si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën është se ata duhet të angazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian si rruga e vetme drejt paqes”, tha sekretari Stoltenberg.

Duke e dënuar dhunën kundër trupave të NATO-s si “krejtësisht të papranueshme”, sekretari Stoltenberg tha të enjten në Oslo se “NATO-ja do të mbetet syçelë. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të ulur tensionet”.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bëri thirrje të enjten se për shtensionimin e situatës.

“Ne duhet të ngulim këmbë se dhuna nuk është rruga e duhur, dhuna duhet të ndëshkohet dhe kryesit e kësaj dhune duhet të vihen para drejtësisë. Të gjithë duhet të shmangin çdo formë të përshkallëzimit dhe lëvizjet e pa bashkërenduara”, tha ai në fillim të takimit të nivelit të lartë të Komunitetit Politik Evropian në Kishinau të Moldavisë.

Tensionet në veri të Kosovës mbeten të larta dhe protestuesit serbë sërish të enjten janë mbledhur për të kërkuar largimin nga ndërtesat e komunave të kryetarëve shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga serbët si dhe largimin e njësive të posaçme të policisë që shoqëruan kryetarët në vendet e tyre të punës.

Veprimi i autoriteteve të Kosovës nxiti kritika të rrepta nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë, të cilët kërkuan që kryetarët e komunave të punojnë në zyra të tjera dhe njësitë e posaçme të policisë të largohen nga ndërtesat e komunave.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të mërkurën se nuk do t’i largojë kryetarët e komunave veriore nga zyrat e tyre, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja në zonë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të enjten se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duhet t’i jap fund mbështetjes për “bandat kriminale” në veri të Kosovës.

“Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që e rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë, dhe të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi që i bën Serbia ekzistencës së Kosovës si shtet sovran”, tha presidentja Osmani e cila ndodhet në Moldavi për takimin e Komunitetit Politik Evropian.

Para fillimit të takimit presidenti serb Aleksandar Vuçiç u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të tërheqin ata që ai i quajti “kryetarë të pretenduar të komunave”. Një hap i tillë, tha ai, do të ishte “lëvizja më e fuqishme” që mund të zgjidhte krizën.