Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se rreziku i veprimit ushtarak rus në Ukrainë është mjaft i lartë dhe i afërt për të justifikuar largimin e pjesës më të madhe të stafit në ambasadën amerikane në Kiev, lajm të cilin e njoftoi më herët Departamenti i Shtetit.
Nga Hononulu, Diplomati i lartë i SHBA-së deklaroi në konferencën për shtyp: “Kemi urdhëruar largimin e shumicës së amerikanëve që ndodhen ende në ambasadën e SHBA-së në Kiev. Rreziku i veprimit ushtarak rus është mjaft i lartë dhe kërcënimi është mjaft i afërt saqë kjo është gjëja e parë për t’u bërë.”
Paralajmërimet e SHBA- së se grumbullimi i më shumë se 100,000 trupave ruse në kufijtë e Ukrainës mund të sjellë një pushtim janë bërë gjithnjë e më urgjente ditët e fundit.
Moska ka mohuar planet e saj për pushtimin e Ukrainës, duke i quajtur lajmërimet e SHBA-së si “histeri” e teksa ka thënë se ka shqetësimet e veta të sigurisë mbi atë që e quan agresion nga aleatët e NATO-s.
Pas takimit me homologët e tij japonezë dhe të Koresë së Jugut, Blinken përsëriti thirrjen se një zgjidhje diplomatike mbetej e mundur dhe mënyra për ta ndjekur atë ishte që Moska të tërhiqej.