Pas njoftimit të presidentit amerikan Joe Biden për zgjerimin e masave të Urdhrit Ekzekutiv për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të atyre që nxisin destabilitet në Ballkanin Perëndimor, sekretari i shtetit Antony Blinken përforcon qëndrimin e Uashingtonit për luftë të ashpër kundër korrupsionit në vendet e rajonit.
Përmes një deklarate për shtyp, kryediplomati amerikan shpreh përkushtimin e vendit të tij në promovimin e demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies në Shqipëri dhe vendet ish-Jugosllave.
“Për të goditur në mënyrën më të mirë rrjetet e korrupsionit të shtrira në Ballkanin Perëndimor, Urdhri Ekzekutiv përfshin tani edhe Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshme se korrupsioni kërcënon barazinë ekonomike, luftën kundër varfërisë, përpjekjet për zhvillimin ekonomik, si dhe vetë demokracinë. Korrupsioni, kudo që të jetë, dëmton drejtpërdrejtë politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatët e partnerët tanë”.
Blinken shprehet se shtesat e fundit të bëra nga presidenti Biden të bëra në këtë urdhër ekzekutiv përfshijnë në sanksione edhe shkelësit e marrëveshjes së Prespës, nënshkruar në vitin 2018 dhe kërkojnë zgjatjen mandatin e Gjykatës së Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Ky urdhër është po ashtu në përputhje me standardet që rajoni duhet të ndjekë në rrugën europiane.