Kryesore Bllokada e ndërkombëtarëve, ish-kryeministri: Berisha i tretë është më i fuqishëm se...

Bllokada e ndërkombëtarëve, ish-kryeministri: Berisha i tretë është më i fuqishëm se çdo Berishë tjetër deri më sot

Sali Berisha nuk është aspak i shqetësuar për bllokadën që i kanë vendosur disa nga ndërkombëtarët, mes tyre SHBA dhe Britania e Madhe që e kanë shpallur “Non Grata”.

Në një dalje për mediat, në përfundim të mbledhjes së grupit, Berisha tha se nuk i druhet aspak që nuk ka mbështetjen e shteteve aleate të Shqipërisë në aksionin e tij opozitar, për sa kohë që ka mbështetjen e shqiptarëve.

Madje, ai pati edhe një sfidë për këdo që mund ta sfidojë në garën për të marrë më shumë se 600 mijë vota, pa i vjedhur, siç ai i pretendon.

“Si mund të shqetësohet kur Sali Berisha u votua nga mbi 600 mijë shqiptarë? Të dal një burrë tjetër dhe të marrë 600 mijë vota, pa i vjedhë Edi Rama, Berisha i tretë është më i fuqishëm se çdo Berishë tjetër në këtë vend”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Berisha tha se opozita unanimisht ka vendosur për të vazhduar betejën në Kuvend. Ai tha se Rama, sot është në luftë me Kushtetutën, pasi është i bindur se Komisionet Hetimore do i nxjerrin të palarat e qeverisë së tij.

“Një mbledhje e zgjatur e grupit parlamentar dhe një vendosmëri e plotë dhe totale e vazhdimit të betejës pa kthim gjer në rivendosjen e plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve opozitar në Kuvend. Rama bën luftë me Kushtetutën, me popullin opozitar, shkelmon të drejtat e popullit opozitar, i tmerruar nga abuzimet e pushtetit e di se Komisionet Hetimore do i nxjerrin të gjitha të palarat, dhe si përfundim do të dorëzojë mandatin”, tha Berisha.

Ai foli edhe për grevën e urisë, duke thënë se deputetët janë të gatshëm, mirëpo kjo nuk është ende në planet e afërta të opozitës.

“Që nesër janë të gatshëm, por greva e urisë dhe çdo akt tjetër do merret në kohën e duhur”, shtoi ai.

Përtej betejës së tyre në Kuvend, mazhoranca ka kaluar ligjet në mbledhjet e Komisioneve online. Për këtë, Berisha e ka një përgjigje.

“Asnjë ligj që kalon në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit nuk do të njihen nga opozita. E patë si kaluan në kundërshtim me ligjin, pa mbledhje komisionet dhe të futur pas karrigeve. Kushtetuta e ndalon përveç se në gjendje të jashtëzakonshme. Nëse ngushëllon veten Edi Rama dhe e quan këtë si të ligjshme, le ta ngushëllojë”, tha Berisha.