Aktualitet Bllokimi akseve rrugore, procedohen 7 deputetë të PD dhe 50 protestues. 3...

Bllokimi akseve rrugore, procedohen 7 deputetë të PD dhe 50 protestues. 3 të tjerë arrestohen

Policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 7 deputetë të Partisë Demokratike dhe 50 protestues, në Tiranë e Elbasan.

Gjithashtu ka arrestuar edhe 3 protestues të tjerë për bllokimin e rrugëve në Bradashesh të Elbasanit, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në Tiranë, deputetët e proceduar penalisht janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani, si dhe 30 protestues.

Së bashku me protestuesit e proceduar, deputetët akuzohen për bllokimin e rrugës te mbikalimi i kthesës së Kamzës.

Deputetët e PD akuzohen edhe për kundërshtim të forcave të rendit. Ndërsa disa nga protestuesit akuzohen për djegien e gomave.

Në Elbasan, janë proceduar penalisht deputetët e PD, Tomor Alizoti, Edmond Spaho dhe Qani Xhafa. 20 protestues janë proceduar në gjendje të lirë. 3 protestues janë arrestuar, e 3 të tjerë janë në kërkim.

Të martën, për 3 tre orë opozita protestoi duke bllokuar 6 segmente rrugore nga veriu në jug gjatë intervalit kohor 17:00-20:00.

Si pasojë e aksionit të mosbindjes civile, mbështetësit e Partisë Demokratike paralizuan lëvizjen e automjeteve në mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, atë të Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit e Milotit.