Aktualitet Bllokimi i fluturimeve, Balluku: Grusht shteti, janë stresuar për pagën mbi 2...

Bllokimi i fluturimeve, Balluku: Grusht shteti, janë stresuar për pagën mbi 2 mijë dollarë

Trafiku ajror në Shqipëri është bllokuar ditën e sotme tërësisht për shkak të protestës së punonjësve të Albcontrol, të cilët kontrollojnë trafikun ajror në aeroportin “Nënë Tereza”. Ata kërkojnë rikthimin e pagave në nivelin përpara pandemisë, të cilat kapnin shifrën e mbi 4 milionë lekëve të vjetra.

Lidhur me këtë situatë që ka futur në kolaps sistemin e navigimit ajror të Shqipërisë, ministrja e Transporteve Belinda Balluku zhvilloi një takim sot me punonjësit e Albcontrol. Kjo mbledhje dështoi në arritjen e një marrëveshje. Ministrja Balluku doli në një konferencë shtypi për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.

Sipas saj, kërkesa e punonjësve të Albcontrol është e paligjshme. Ajo zbuloi se pagat e punonjësve të trafikut ajror shkojnë në 4400 dollarë në muaj për person, dhe që pas pandemisë paguhen me 2490 dollarë për shkak të uljes së numrit të fluturimeve.

“Në kushtet e pandemisë që ka nisur nga Marsi i vitit të kaluar, një nga sektorët më të prekur është aviacioni. Këshilli Mbikëqyrës i Albcontrol ka rishikuar pagat. Paratë që vijnë nga trafiku ajror vijnë sipas sasisë së operimeve të kryera. Gjatë vitit 2020 dhe në fillim të këtij viti trafiku ka rënë me 57% për vitin 2020, ndërkohë edhe për muajin Janar, Shkurt, Mars trafiku ka qenë minus 57%. Shteti nuk merr të ardhura nga Albcontrol dhe nuk i ka dhënë kurrë asnjë qindarkë. Kontrollorët e trafikut ajror deri në vitin 2019 kanë pasur paga që arrinin edhe në shifrën e 4.400.40 mijë lekë (të vjetra) ose 4400 Dollarë, shifra që ndoshta nuk janë shumë normale. Ekzistojnë pasi nuk janë të lidhura me buxhetin e shtetit, ndaj dhe janë paga që vendosen në një marrëveshje të plotë me përfaqësuesen e kompanive ajrore dhe Albcontrol.

Sot marrin 2.400.49 Lekë (të vjetra) ose 2490 Dollarë. Kemi pasur presion nga kontrollorët që kërkonin kthimin e pagës në gjendjen e mëparshme. Kompania është në pamundësi financiare. Kjo kompani e ka detyrim ligjor të mos krijojë pasi nuk ka ku i krijon. Në fund të vitit nëse kompania nuk ka përdorur paratë është detyrim ligjor që t’i rikthehen kompanive. Pra në fund të vitit Albcontrol nuk ka të drejtë të ketë para mënjanë. Drejtuesit e kompanisë janë ulur disa herë për të diskutuar me kontrollorët e trafikut ajror. Në të gjitha uljet në tryezë nga ana e kontrollorëve është që nuk i intereson ky problem, është puna e kompanisë se si do ta zgjidhë, ata janë mësuar që duan të kenë paratë, pra nëse nuk kanë 4 mijë Dollarë stresohen dhe nuk punojnë dot. Nuk është batutë. Unë e kam të shkruar nga një nga kontrollorët. Dhe për të bllokuar trafikun ajror dhe për të vënë nën presion shtetin shqiptar kanë vendosur të bëjnë akt që quhet paaftësi për të operuar. Kanë deklaruar që janë të paaftë për shkak të vështirësisë financiare duke rrezikuar kredinë, probleme familjare si pasojë e vështirësi familjare dhe zotëria ka aplikuar për borxh tek të afërmit. Se si një kontrollor i trafikut ajror thotë që është i paaftë për të punuar pasi ndihet në strese sepse paga e tij 4 mijë Dollarëshe është bërë 2490 Dollarë. Kjo pagë nuk i del një familje me 4 persona që të punojnë dhe kështu zotëria është detyruar të aplikojë për borxh tek familjarët. Të tjera si këto janë dorëzuar në të njëjtin moment dje pranë drejtorisë”, u shpreh ministrja e Transporteve.

Grevën e punonjësve të Albcontrol, ministrja Balluku e konsideron grusht shteti dhe ilegale, duke paralajmëruar se do të ketë penalizime ligjore nëse punonjësit e Albcontrol nuk rikthehen në punë.

“Kjo është një grevë e pastër ilegale në thyerje të kodit të punës. Sepse janë deklaruar që të gjithë në të njëjtin momentin, me të njëjtat letra, me të njëjtin arsyetim. A duhet të kapet peng vendi nga disa persona, se ky është grusht shteti, se janë të pakënaqur me pagën 2490 Dollarë dhe nëse nuk ja bëjmë 4400 Dollarë atëherë ata do të mbajnë vendin peng? Këtu preket siguria e vendit dhe e drejta për lëvizjen e lirë të çdo qytetari. Kjo është kapje e shteti, është shantazh i pastër. Ata nesër mund të zgjohen dhe të thonë nuk duam 4400 Dollarë, duam 10 mijë Dollarë. Si do ta zgjidhim? Nga do të vijnë këto para? Sot që flasim merr shumë më shumë nga puna që bën pikërisht për të ruajtur nivelin e jetës. Për ju që punoni gjithë ditën në terren, ju që merrni 1/10 e pagës së tyre ju duket normalitet që askush mos fluturojë në Republikë, që mos vijnë vaksinat? Është faji i qeverisë që kemi pandemi dhe këtu nuk fluturojnë avionët? Nga do vijnë lekët për t’i kompensuar 2.5 milionë Lekë një personi që sot merr 2.4? Çfarë është kjo? Tokë e xanun? Këtu është kompromentuar besimi totalisht. Sot e ulën traun dhe është tokë e xanun. Pra hapësira ajrore e shqiptarëve nuk është e shqiptarëve, por është e 60 shqiptarëve. Në këto momente vendi është marrë peng. Janë të nxitur politikisht”, deklaroi ministrja Balluku.

Thirrja për presidentin Ilir Meta

Ministrja Balluku i bëri thirrje edhe Presidentit Ilir Meta që të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj situate.

“Ndërkohë do i kërkoja Presidentit të Republikës, i cili është takuar me punëtorët e Albcontrol dhe i është dërguar i gjithë dokumentacioni. I kërkoj që të shprehet sot nëse mundet shteti të kapet nga një grup njerëzisht të cilët kërkojnë që të marrë secili prej tyre 15 rroga sa merr një shqiptar. Dikush mbrëmë kishte thënë se 60 veta jemi ne nuk bëhet nami, por ata kërkojë që të marrin sa 600 shqiptarë. Sot kërkoj nga Presidenti që të deklarojë nëse duhet të kapet vendi peng, ky është një grusht shteti”, tha Balluku.

GREVA E ALBCONTROL, SOT NUK VIJNË VAKSINAT ANTI-COVID

“Kam ndjekur me shumë vëmendje Sali Berishën, ai ka një dëshirë shumë të madhe se si do të mbyllet aeroporti, se si nuk do të fluturojë asnjë person. Me thënë të drejtën unë e kuptoj Sali Berishën, pasi kjo është një organizim politik për shkak të fushatës elektorale. Sot nga Rinasi nuk do të vijnë dot vaksinat që duhet të vinin dhe të vijohej vaksinimi i shqiptarëve. Sot për të prishur imazhin, po afektohet e gjithë popullsia siç thotë ai neni i Kodit të Punës. Sot një person që mund të jetë i sëmurë dhe duhet të kthehet në Shqipëri, nuk mund të kthehet. Sot nëse dikush ka ndërruar jetë dhe do të varroset në Shqipëri, nuk mund të varroset se nuk do Sali Berisha. Për të folur më pas me gjithë ato dezinformimet e qytetarit dixhital dhe kontrollorit dixhital”.