Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ka marrë kontakte urgjente sot me Ministrinë e Mbrojtjes, pas bllokimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit.
Arsyeja e marrjes së këtyre kontakteve lidhet me rrezikun potencial që paraqitet me disa fluturime që do të kryhen nga Shtetet e Bashkuara me avion dhe logjistikë ushtarake të parashikuara këtë fundjavë.
Logjistika dhe teknologjia ushtarake që pritet të dislokohet këtë fundjavë ka lidhje me përgatitjen e një prej stërvitjeve më të rëndësishme të NATO-s, DEFENDER – Europe 21.
Stërvitja do të përfshijë pjesëmarrjen e afro 30 mijë trupave nga 26 shtete. Në Shqipëri do të kalojnë 6 mijë trupa dhe do të dislokohet rreth 20% e kapaciteteve ushtarake që do të marrin pjesë në këtë stërvitje.
Stërvitja do të nisë pas tre javësh. Por një pjesë e logjistikës ushtarake vjen paraprakisht. Dhe këtë fundjavë pritet ardhja e disa avionëve ushtarakë amerikanë. Më tepër se vaksinat, të cilat mund të importohen në Shqipëri edhe nëpërmjet rrugëve tokësore, problem paraqitet bllokimi i dislokimit të trupave amerikanë në kuadër të kësaj stërvitjeje.
Aktualisht kryeministri Edi Rama është në kontakte me palën amerikane dhe nuk përjashtohet marrja e masave drastike.