Pak ditë pas bllokimit të rrugës Lezhë- Milot si pasojë e reshjeve të borës, ku dhjetëra qytetarë u bllokuan mes një stuhie bore në temperatura nën zero, Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet për firmën e cila kishte për detyrë mirëmbajtjen e saj.
Sipas hetuesve bëhet fjalë për firmën “Geci Shpk”, që dyshohet se nuk ka hedhur kripë në rrugën Lezhë-Milot, si dhe nuk ka vendosur në punë borëpastrueset ditën që ndodhi bllokimi.
Nga ana tjetër, mësohet se drejtuesit e firmës kanë pretenduar se nuk e kanë pasur detyrim kontraktual që të kujdeseshin në rast bllokimi nga bora dhe ngricat e për pasojë nuk kanë asnjë përgjegjësi për situatën e krijuar.
Paraditen e së martës hetuesit kanë sekuestruar në ARRSH të gjithë dokumentacionin e firmës për të parë nëse në kontratë përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugës si pasojë e bllokimit nga reshjet e borës dhe ngricat.