Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka vendosur përjashtimin nga seanca e sotme të deputetit demokrat Flamur Noka pas bllokimit të foltores nga ana e këtij të fundit.
Noka bllokoi foltoren duke bërë që ministrja Krifca të mbante fjalën e saj nga vendi, ndërsa deputeti demokrat shkaktonte zhurmë nga foltorja përplasur duart mbi të.
“Zoti Noka jeni në kushtet e nenit 65 kur po mbani foltoren pa asnjë arsye duke penguar zhvillimin e seancës. Ju kam dhënë masat paraprake, ju përjashtoheni nga seanca e sotme. Nuk mund të vijoni me këtë sjellje antiqytetare. Merret masa e përjashtimit për zotin Flamur Noka sepse vijoni të mbani të zaptuar foltoren edhe pas paralajmërimit. Lironi sallën zoti Noka”, u shpreh Nikolla.
Grupi i deputetëve të Sali Berishës kanë ngritur shqetësimin se në listën e diskutantëve rezultojnë si folës jashtë grupeve parlamentare dhe jo si pjesë e PD-së.
Çfarë ndodhi?
Deputeti demokrat, Flamur Noka nuk ka pranuar të lirojë foltoren e Kuvendit, duke i kërkuar kryeparlamentares, Lindita Nikolla që t’i jepte vendimin ku ishte vendosur përjashtimi i tij nga grupi parlamentar i PD-së. Më tej deputeti demokrat kërcënoi kryeparlamentaren se do ta çonte për ndjekje penale.
“Ti zonjë atje je ulur për të respektuar kushtetutën dhe rregulloren. Na kanë zgjedhur demokratët dhe asnjë nga rilindja që ti paske të drejtë të rrotullosh lapsin si të duash. Na e gjej vendimin ku ne jemi shpallur armiq dhe se këta deputetë janë deputetë miq të Edi Ramës. Ti do shkosh e para për ndjekje penale për shkelje të kushtetutës dhe rregullores”, tha Noka.