Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për grevën në aeroportin e Rinasit. Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me shpërdorimin e detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes se ndodhur.
Po vijojnë veprimet hetimore në drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Nga ana tjetër, kontrollori i parë nga 80 punonjës që janë gjithsej në kullën e Rinasit, Muhni Mezini është shoqëruar në polici. Mezini është thirrur në polici pasi ka përfunduar turnin dhe është një nga 5 kontrollorët që ka shprehur paaftësinë për të kryer detyrën për shkak të stresit.
Aeroporti i vetëm në Shqipëri prej mëngjesit të sotëm është në kaos total, pasi nuk mund të realizohet asnjë fluturim, si në hyrje dhe dalje, përpos atyre që kalojnë në hapësirën ajrore të vendit tonë.