Aktualitet Blogerë apo spiunë? Gjenden komunikime të dyshimta të rusëve në “Telegram”, fotografuan...

Blogerë apo spiunë? Gjenden komunikime të dyshimta të rusëve në “Telegram”, fotografuan edhe bazat e tjera në Shqipëri

Zbulohen detaje të reja për dy rusët dhe të riun nga Ukraina, që u arrestuan të dyshuar si spiunë, pasi dhunuan 2 efektivët e forcave të armatosura dhe fotografuan ish-Uzinën e armëve në Gramsh.

Grupi hetimor ka zbërthyer aparatet celularë të tre të arrestuarve ku kanë gjetur fotografi dhe materiale të tjera të bazave ushtarake në Shqipëri, përveç asaj të Gramshit.

Këto materiale i përkasin periudhës së gushtit të këtij viti, teksa Prokuroria ka dyshime të forta për aktivitetin e tyre të spiunazhit.

Burime nga organi i akuzës konfirmojmë se në celularët e tyre kanë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme, kryesisht në “Telegram”.

Të njëjtat burime, shtojnë se 4 shtetasit çekë të kapur në rrethana të ngjashme në Poliçan, për momentin nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Çështja do të vijojë të hetohet në Prokurorinë e Elbasanit dhe jo në SPAK.

Sa i përket kontakteve që kanë kryer këta shtetas me persona të tjerë, po bëhen verifikime për identifikimin e tyre dhe aktivitetit me të cilin merren.