Zvonimir Boban është zyrtarizuar si Shefi i Zyrës së Futbollit te Milanit. Kroati do të punojë sëbashku me Maldinin, ku së bashku shpresojnë ta kthejnë Milanin në majat e futbollit evropian
Lajmi ishte në ajër prej disa kohësh, por duhej pritur sa i përket aspektit burokratik dhe juridik, pasi në fillim duhej gjendur marrëveshja për të prishur kontratën që e lidhte me FIFA-n, ku mbulonte rolin e zëvendës presidentit.
Pasi Gianni Infantino kishte thënë disa herë “jo”, në fund është bindur dhe i ka uruar fat Zvonimir Bobanit, që zyrtarisht është kthyer te Milani, jo më si futbollist, por në rolin e drejtuesit. Do të jetë “unaza” lidhëse mes Maldinit dhe Ivan Gazidisit, CEO-s kuqezi.
“AC Milan komunikon emërimin e Zvonimir Bobanit si Chief Football Officer del Club. Boban do të jetë përgjegjës i koordinimit dhe supervizionimit të aktivitetit sportiv, duke punuar ngushtë me administratorin e deleguar Ivan Gazidis dhe drejtorin teknik Paolo Maldini”, ishte komunikata e klubit kuqezi.
Menjëherë pas emërimit, Boban ka folur edhe për mediat: “Jam i lumtur që u ktheva në Milanin tim të dashur duke u përpjekur që të jap kontribut për ta kthyer aty ku duhet të jetë. Duhet të jetë një klub protagonist dhe fitues, sepse është kjo natyra e vetme e historisë së Milanit”.
“Dhe është natyra edhe e tifozëve tanë. Do të jap gjithçka nga vetja për këtë kauzë dhe për ngjyrat tona kuqezi. Kur Paolo më thërriti për të pasur disponibilitetin tim, hupa në makinë dhe shkova ta takoja në shtëpi, në mes të natës, për të kuptuar gjërat”.
“Pasi fola edhe me Ivan Gazidis dhe klubin, gjithçka ishte e qartë dhe ja ku jam, në klubin tim, në tokën që më ka dhënë shumë. Shpresoj që të shpërblej besimin. Falënderoj edhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino që, edhe pse interist i çmendur, u tregua mik dhe e kuptoi se kjo telefonatë e Milanit i ngjante asaj që ai më bëri 3 vite më parë. E pamundur t’i thoja jo. Forza Milan!”.