Sport Bobo Vieri: Conte? S’e pashë njëherë të qetë. Juvja mund të mundë...

Bobo Vieri: Conte? S’e pashë njëherë të qetë. Juvja mund të mundë çdo ekip në botë

Ish-sulmuesi i Italisë, Bobo Vieri, është rikthyer të flasë për situatën tek Interi. Në një prononcim për “La Gazzetta dello Sport”, ai shpreh mendimin e tij për Antonio Conten si dhe beson se Eriksen do të largohet nga zikaltrit në merkaton e janarit.

Vieri u ndal gjithashtu dhe tek fitorja e Juventusit ndaj Barcelonës dhe ai nuk është befasuar aspak nga ajo fitore për sa kohë Ronaldo është pjesë e bardhezinjve.

“Conte nervoz? Kështu është ai. Nuk e kam parë kurrë të relaksuar atë, edhe kur po fiton 5-0 apo kur po mundet 3-0. Një trajner duhet të jetë në gjendje të ndryshojë gjërat kur ato nuk shkojnë mirë.

Nga ajo që shikojmë, Antonio nuk e bën këtë gjë dhe unë do të doja të shikonim Eriksen më shumë në fushë. Ai mund ta ndihmojë Interin, por është trajneri që e shikon atë çdo ditë dhe ne mund të gjykojmë vetëm nga jashtë. Besoj se Christian do të largohet në janar”, deklaron italiani.

“Humbja e Barcelonës ndaj Juventusit? Nuk jam aspak i befasuar sepse ata mund të mposhtin këdo, për sa kohë kanë në ekip një lojtar si Cristiano Ronaldo. Nuk ka kufizime për një lojtar si ai.

Bardhezinjtë luajtën disa ndeshje pa të dhe nuk arritën të fitonin. Ata varen pak nga Ronaldo, por nuk duhet të habitemi. A nuk varet dhe Barcelona nga Messi? Nëse Lukaku nuk luan, është njësoj Interi në fushë?”