Siç pritej kjo e enjte ka nisur me debate në Kuvend e me protestë jashtë tij. Rrëzimi i kërkesës së 6 deputetëve nga Byroja e Kuvendit për të hequr masën e pezullimit, u bë shkak për reagime, si jashtë ashtu edhe brenda sallës. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi akuzoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla për shkelje të rregullores ndërsa ritheksoi kërkesën e opozitës për ngritjen e 2 komisioneve hetimore.
“Kemi kërkuar që nga java tjetër seancë pyetjesh që është urgjente, e përcaktuar në nenet e rregullores që kryeministri duhet të ishte prezent menjëherë. Kemi 2 javë që e kërkojmë. Kemi kërkuar 2 komisione hetimore. Komisionit hetimore janë të firmosura, i pari nga 35 deputetë, i dyti për çështjen Rama-McGonigal, nga 44 deputetë. E ka Kushtetuta, neni 77, pika 2 është kjo kushtetuta që të mban ty aty, që e mban qeverinë këtu, të korruptuar, që na mban ne këtu. Pse e shkel me këmbë ti Kushtetutën dhe më tregon mua rregulloren dhe më përjashton? Kur një e katërta e deputetëve kërkojnë ngritjen e këtij komisioni, komisioni grihet menjëherë”.
Boçi komentoi edhe deklaratën e Kryeministrit Rama të bërë 1 javë më parë në emisionin “Opinion”.
“Kush është ky që del në studio televizive dhe thotë unë nuk ngrejë komisione hetimore, jeni apo s’jeni ju drejtuesja e Kuvendit. Që de facto ne e dimë kush është, po të paktën de jure. Ushtro autoritetin tënd sepse ne kemi kërkuar komision hetimor për një çështje madhore, që është shqetësimi kryesor i shqiptarëve, për atë thikën në zemër që i keni ngulur marrëdhënieve me SHBA.”