I ftuar në emisionin “A2 Business Week”, Ridvan Bode, veç të tjerash, u pyet nga gazetarja Aurora Sulçe edhe se si e mori ofertën nga Rama dhe pse vendosi të pranojë emërimin në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Bode u shpreh se nuk ka pasur asnjë kontakt me Kryeministrin më parë, ndërsa thotë se propozimi ishte me mesazh dhe me anë të një individi. Ai tregon edhe arsyet se pse e pranoi ofertën.
“Eksperienca ime e gjatë në çështjet e financave publike dhe kontributeve që kam dhënë, për shkak të angazhimit tim politik në fushën e ekonomisë dhe të financave të vendit, ishte intriguese pas momentin kur unë nuk isha më në politik. Praktikisht, pas zgjedhjeve të vitit 2017 nuk kam qenë i angazhuar.
E vërteta është se nuk kam pasur asnjë kontakt me zotin Rama më përpara. Ka qenë një ftesë e tij, një propozim i tij me mesazh dhe përmes një individi. Kam diskutuar me njerëzit që kam bashkëpunuar gjatë dhe kam marrë këtë vendim, duke konsideruar një pozicion që nuk ka të bëjë fare me politikën, aq më pak me qeverinë, një pozicion në të cilin mund të jap kontributin tim dhe eksperiencën time të gjatë në fushën e financave publike dhe në fushën e ekonomisë së vendit.
Po ashtu, me interes për të kontribuuar në vijimësi edhe me dijet e mia në një institucion shumë serioz dhe shumë kredibël të vendit”, tha Bode.
Më tej, Bode theksoi se ky ishte edhe një vendim për të deklaruar shkëputjen përfundimtare nga politika. “Ishte një zgjidhje e imja për të deklaruar edhe publikisht shkëputjen nga politika, e cila është përfundimtare. Derisa unë pranova të marr pjesë në një institucion të tillë që ka një mandat të gjatë do të thotë se e konsideroj një gjë të mbyllur”, tha Bode.