Vazhdojnë trazirat në Bolivi. Vendi duket më i përçarë se kurrë më parë, ndërsa në qytete ka vetëm sulme, të shtëna, dhe agresion. Ish presidenti, Evo Morales, është larguar nga Bolivia dhe kërkoi strehim në Meksikë që i garantoi mbrojtje diplomatike.
“Më lëndon fakti që jam larguar nga vendi për arsye politike, por shpejt do të kthehem sërish me forcë dhe energji më të madhe”, deklaroi Morales.
Ky nuk është vetëm fundi i një cikli politik, i një eksperimenti të suksesshëm që më pas u fundos për gabimet e një lideri indigjen të paaftë për të parë realitetin, por shënon dhe nisjen e një periudhe të re. Ushtria ka marrë aktualisht pushtetin.
Përballë paaftësisë së policisë për të menaxhuar kaosin e krijuar pas dorëheqjes së Morales, gjenerali William Kaliman ka urdhëruar ushtarët që të lënë kazermat dhe të ndërhyjnë për të shmangur “gjakderdhjen dhe lutjet e dëshpërimit”.
Është grusht shteti apo jo, kjo tani ka pak rëndësi, pasi vendi është zhytur në vorbullën e trazirave. La Paz dhe El Alto, dy bastione të opozitës dhe të militantëve të MAS, besnikë të presidentit në arrati, janë mbyllur në shtetrrethim të vetë imponuar për shkak të panikut dhe frikës.
Qytetarë të shumtë janë mbyllur në shtëpi, ndërsa ekrani i televizionit është e vetmja “dritare” ku informohen për përleshjet mes popullatës civile dhe ushtrisë.