Pas reagimit të Qeverisë së Kosovës se nuk kishin ftesë zyrtare për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Shkupit për “Minishengenin Ballkanik” apo siç quhet me emrin e ri “Ballkani i Hapur”, është përgjigjur kryeministri Edi Rama.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe Presidentin serb Vuçiç, Kryeministri Rama tha se ky “Ballkani i Hapur” nuk është ekskluziv mes Shqipërisë-Serbisë-Maqedonisë së Veriut. Edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina që refuzojnë të marrin pjesë, mund t’i bashkohen forumit në çdo moment.
“Në 1 Janar të 2023 do të kemi mes vendeve tona zero pritje në kufi. Të tjerët janë të mirë se ardhur të vijnë dhe të na bashkangjiten. Dhe boll me këtë na ftuan, s’na ftuan. Ishin në Tiranë të 6 vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë, disa duan, disa s’duan. Nuk ka problem. Autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave mbase nuk sjellin demokracinë, por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë ta kesh”, tha ndër të tjera Rama.