John Bolton, ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Donald Trump, akuzoi Shtëpinë e Bardhë se i kishte bllokuar aksesin në Twiteer pas shkarkimit të tij vitin e kaluar.
“Pas dorëheqjes sime si këshilltar i sigurisë kombëtare, Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të më lejonte të hyja përsëri në llogarinë time në Twitter. Nga frika se mos thosha çfarë?”, ka shkruar Bolton, i cili, pas 10 shtatorit kur u shkarkua nga presidenti nuk ka bërë asnjë deklaratë.
“Për ata që prisnin nga unë të fshihesha, më vjen keq që do t’i zhgënjej”-shtoi ai. Akuzat e Boltonit janë hedhur poshtë nga Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi, Stephanie Grisham i tha Fox News se “një person i moshuar si Bolton nuk e kupton se si duhet të kontaktojë Twitter-in për të ri-aktivizuar fjalëkalimin”.
Bolton njoftoi rikthimin e tij në Twitter me një mesazh enigmatik: “Jam i lumtur që kthehem pas dy muajsh. Qëndroni në linjë për të mësuar prapaskenat”. “Faleminderit Twiteer-it që i përmbahet standardeve duke më dhënë kontrollin mbi llogarinë time përsëri”, shtoi Bolton.