Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bolton, paralajmëroi se presidenti venezuelian, Nicolas Maduro mund të përfundojë në Guantanamo, nëse ai nuk pranon të largohet nga pushteti paqësisht.
”Maduros do t’i kisha dëshiruar një pension të gjatë e të qetë në një plazh të mrekullueshëm larg Venezuelës”, tha Bolton.
”I them atij të zgjedhë daljen në pension në një plazh të bukur, në vend që të gjendet në një plazh tjetër si Guantanamo”, theksoi ai.
Udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido u vetëdeklarua president i përkohshëm i vendit muajin e kaluar, e menjëherë fitoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Ai u shpreh një ditë më parë se po përpiqet të ngrejë një koalicion ndërkombëtar që do të mund t’iu dërgonte ndihma humanitare venezuelasve, por Maduro e akuzon atë se po organizon një “grusht shteti”.
Në intervistën për një program televiziv spanjoll, të transmetuar të dielën, Maduro u pyet mbi faktin nëse kriza në Venezuelë mund të precipitonte në luftë civile.
“Sot për sot, askush nuk mund t’i përgjigjet me siguri kësaj pyetjeje. Gjithçka varet nga niveli i çmendurisë dhe agresivitetit të perandorisë së veriut (i referohet Shteteve të Bashkuara) dhe aleatëve perëndimorë të saj. Ne kemi kërkuar që askush të mos ndërhyjë në çështjet tona të brendshme…ndërkohë që po përgatitemi gjithashtu për të mbrojtur vendin tonë”, tha Maduro.
Presidenti Trump ishte shprehur më herët gjatë një interviste për “CBS”, se opsioni i ndërhyrjes ushtarake ishte ende mbi tavolinë. Por, Maduro e paralajmëroi udhëheqësin amerikan se, ai do të rrezikonte të përsëriste luftën e Vietnamit nëse ndërhynte në Venezuelë.
“Ndalu Donald Trump! Po bëni gabime që do t’iu mbulojnë duart me gjak, e do të dilni prej Shtëpisë së Bardhë i mbuluar në gjak – kërcënoi Maduro. – Le ta respektojmë njëri-tjetrin, apo mos dëshiron të përsërisësh një luftë Vietnami në Amerikën Latine?”.